Shopping Queens

Tring ka blerë ekskluzivisht të drejtat  televizive për realizimin e formatit  hit, daily makeover  “Shopping Queens”  nga kompania  Global Agency, format ky i shitur në 13 vende të  botës.

Tring TV  do të prodhojë versionin shqiptar të formatit, ku pesë femra me karaktere, moshë dhe profesione të ndryshme do të  konkurojnë njëra-tjetrën në zgjedhjen e nje outfit-i, për një kohë dhe buxhet të caktuar.

Shqipëria  së bashku me Kroacinë  u  bashkohen  11  shteteve të tjera që transmetojnë suksesshëm prej disa sezonesh këtë format. Greqia, Kanadaja dhe Australia janë shtetet që kanë kërkuar rishtas të blejnë të drejtat e këtij formati.

Varianti  shqiptar i titulluar  “Shopping Queens” do të prodhohet nga Tring Produksion dhe do të transmetohet në kanalet  Living HD  dhe  Vizion +.

Ky emision është një format që kombinon  elementet e konkurencës, thashethemet, të stilit të grimit dhe veshjes.  Ҫdo javë zgjidhen pesë femra për të konkuruar në “Shopping Queens.” Të pesta vajzat vijnë nga ambiente të ndryshme dhe secila prej tyre ka stilin, shijet dhe perspektivat e saj individuale. Ato nuk janë takuar më parë dhe vetë konkurentet do të jenë gjykatëset për njëra-tjetrën.

Rregullat janë shumë të thjeshta: “Gjithçka është një maratonë prej katër orësh ku vajzat duhet të bëjnë pazar dhe ta shfrytëzojnë më së miri buxhetin që kanë, të kuptojnë konceptin e javës dhe të marrin pikët maksimale nga rivalet e tyre. Femrat do të konkurojnë për të parë se cila prej tyre ka më shumë stil me një buxhet të limituar dhe kanë vetëm katër orë për t’u përgatitur.

Buxheti mund të ndryshojë sipas temës, për shembull më shumë të holla do të jepen për një veshje në një mbrëmje gala dhe një buxhet më i vogël do të jetë për veshjen në një intervistë pune. Shuma e parave në dispozicion do të jetë më se e mjaftueshme që vajzat të gjenden para një sfide. Me buxhetin që do t’u jepet, vajzat duhet të blejnë një veshje të plotë bashkë me këpucët, çantat dhe aksesorët, por edhe të shkojnë në një sallon bukurie për të rregulluar flokët dhe për të bërë makijazh.

Çdo javë do të jepet nga një tematikë te ndryshme.

Limiti prej katër orësh do të jetë një sfidë e madhe. Koha do të fillojë sapo vajzat të nisin të bëjnë blerjet e tyre. Një ekip kameramanësh do t’i ndjekë garueset tona, ndërkohë që ato shkojnë dyqan më dyqan duke provuar veshje të ndryshme, por audienca nuk do ta dijë se cila është e përzgjedhura për secilën para se të sfilojnë.

Pikët e tyre mbi konkurentet do t’i japin duke shkruar rezultatin në një pasqyrë me buzëkuqin e tyre. Pikët janë nga njëshi deri te dhjeta. Gjatë ditës së fundit, mblidhen pikët dhe do të shpallet rezultati përfundimtar. Konkurentja me më shumë pikë do të marrë çmimin në kesh.

Në fund të pazarit të tyre, konkurentet duhet të tregojnë pamjen e re në një pasarelë para rivaleve të tyre. Në studio është krijuar një dhomë gjykimi dhe rezultati i transformimit të secilës do të gjykohet nëse ka qenë i suksesshëm apo një dështim. Vajzat mund të komentojnë mbi zgjedhjet e stilit të secilës në studio.

Disa nga konceptet e tematikave që do të jepen në “Shopping Queens” do të jenë veshjet për dasmën e mikeshës më të mirë, veshjet për festën e ditëlindjes, veshje për vajza mbi peshë, veshje sportive etj