Priten vizitat mjekësore dhe firma, Leonardo Bonucci një hap larg Milanit

Leonardo Bonucci

Leonardo Bonucci do të jetë përforëcimi i radhës për Milanin. Sportmediaset raportoi që të premten se mbrojtësi italian ra dakord të firmosë për 5 vite te skuadra e Vincenzo Montellas. Ai në Milano do të përfitojë një pagë të majme prej 7.5 milionë eurosh në sezon ndërsa drejt Juventusit do të shkojnë 40 milionë euro. Shtypi italian ka raportuar se Bonucci ka kryer mëngjesin e së premtes përshëndetjet e fundit me shokët te Zonja e Vjetër. Në Milano presin që ai të kryejë testet mjekësore e më pas të hedhë firmën në kontratën e re. Ndërkohë bisedimet për De Schiglion thuhet se do të nisin në një moment të dytë. Sinjali publik që i ka vënë vulën lëvizjes së Bonuccit ishin postimet në rrjetet sociale. Ish-mbrojtësi i Interit, Genoas dhe Barit, luajti për 7 sezone me Juventusin. Me bardhezinjtë fitoi 6 kampjonate, 3 Kupa dhe Super-Kupa Italie. Te Juventusi ai e kishte ripërtërirë kontratën deri në vitin 2021 vetëm 6 muaj më parë, por pakënaqësitë sidomos në marrëdhënien me trajnerin Allegri thuhet se kanë ndikuar që ai të ndryshojë ambient. Me të, Milani ndërton kështu nga e para tërë repartin difensiv, pasi më parë ka transferuar Andrea Contin nga Atalanta, Ricardo Rodriguezin nga Wolfsburgu dhe Mateo Musachion nga Villarreali. Bashkë me operacionin Bonucci shifrat e shpenzuara deri më tani në merkato nga Milani janë 175 milionë euro.