Autosport, makinës i shpërthejnë gomat, flakët djegin 12 spektatorë

Alice Springs

12 persona mbetën të lënduar në një event i garave të shpejtësisë në Alice-Springs të Australisë. Në eventin e përvitshëm që mban emrin "Festivali i gomave" organizuar nga Red-Central-Nats, fituesit e garave ofrojnë në fund një spektakël të djegieve të gomave, që shpesh nuk përfundon mirë. Rasti i së dielës e dëshmoi qartësisht këtë. Pas disa rrotullimesh të një makine tip Chevrolet, të drejtuar nga Chris Orchard, pjesë të gomave të djegura, të miksuara me karburant në flakë, iu spërkat spektatorëve. Një tmerr i vërtetë i përfshiu të pranishmit, ndërsa 12 persona përfunduan në spital. Mes tyre një 47-vjecar është në gjendje të vështirë shëndetësore. Menjëherë pas këtij incidenti, organizatorët kanë pezulluar eventin dhe autoritetet australiane kanë bërë me dije se kanë nisur hetimet. "Festivali i gomave" sponsorizohet nga institucionet sportive të vendit me rreth 1 milionë dollarë dhe fansat e makinave i druhen faktit se tanimë ky event mund të mos mbahet më për shkak të këtij incidenti. Nga "Red-Central-Nats" ka pasur një reagim për shtyp, ku është saktësuar se zjarëfikësit kanë qenë vigjilent përgjatë gjithë aktivitetit, ashtu sikurse është bërë gjithmonë, por që rasti në fjalë sipas tyre ishte thjesht një aksident.