MotoGP, Rossi del nga spitali, kërkon t’i rikthehet pistës që në Aragon

valentino

Askush s'do ta zëvendësojë Rossin te Yamaha, është ky vendimi i skuadrës japoneze, që përmes një komunikate për shtyp ka bërë me dije se në garën e fundjavës në Misano në pistë do jetë vetëm Maverick Vinales. 38-vjecari italian, vuajti javën e kaluar një rrëzim nga motori teksa ushtrohej me motocross. Nga rrëzimi Rossi theu këmbën e djathtë duke shqetësuar të gjithë tifozët por edhe familjarët e tij. I ati, Graziano Rossi, ishte ai që dha lajmin për mediat, ndërsa vetë Valentino duket se në mendja ka vetëm rikthimin sa më shpejtë në pistë. 38-vjecari ka lënë spitalin pas një ndërhyrjeje kirurgjikale që zgjati rreth 1 orë. Kirurgu, doktor Raffaele Pascarella, tha për mediat se Valentino kishte reaguar në mënyrë pozitive. "Rossi ka mundur të ecë me paterica në dhomë dhe për këtë kemi vendosur ta nxjerrim nga spitali, shenjat janë optimiste" - tha doktor Pascarella. Por ndërsa mjekët nuk kanë dashur të japin data fikse se kur mund të kryhet riaftësimi i plotë i 9 herë kampionit të Botës, nga familja Rossi thuhet se 38-vjecari kërkon të jetë gati që në Aragon. Në komunikatën e saj Yamaha ka përmendur vetëm garën e Misanos që diskutohet më 10 shtator, ndërsa për atë të Aragonit dy javë më vonë, pra më 24, nuk është thënë gjë. Pikërisht në Spanjë, Rossi kërkon të ngasë motorin edhe pse me këmbë të lënduar. Të gjithë e cilësojnë një çmenduri, rikthimin në pistë pas vetëm 20 ditësh, por nëse ka një njeri që mund t'ia dalë është vetëm Valentino Rossi.