Ronaldo, publikohet videoja e seancës gjyqësore ku tha se do të donte të rikthehej në Angli

ronaldo

"Do doja të rikthehesha në Angli" kjo fjali është thënë vetë nga Cristiano Ronaldo gjatë seancës gjyqësore të mbajtur ndaj tij për akuzat e evazionit fiskal më 31 korrik. Një media portugeze e quajtur "Correio da manha" ka mundur të bëjë publike sekuencën filmike të rregjistruar në sallën e gjyqit kur sulmuesi i Realit të Madridit u përball me akuzat e shmangies së taksave. Nga videoja e publikuar, që nuk ka cilësi të mirë, dallohet Ronaldo i ulur vetëm në mes të tre radhëve me karrige që janë përgjithësisht bosh. Gjyqtarja Monica Gomez Ferrer, dëgjohet teksa i komunikon atij akuzën se në bilancet vjetore 2011-2014 nuk ka deklaruar rreth 14.7 milionë euro të ardhura. 32-vjecari mundohet ta mbrojë veten duke thënë se për të gjitha çështjet ekonomike ka angazhuar ekspertë financiarë. "Unë di vetëm të luajë futboll, s'ma pret shumë për financë pasi shkollë kam bërë deri në klasë të gjashtë. Nëse më duhet të paguajë më shumë, do paguaj. Vetëm më lini të qetë" - dëgjohet teksa thotë portugezi, pasi përmend dy ekspertët e tij financiar të cilët janë kujdesur për të ardhurat dhe të drejtat e imazhit. Ndërsa në mes ndërhyn dhe gjyqtari tjetër, Ronaldo ndihet edhe më i sfrustruar nga kjo cështje dhe thotë: "Kurrë s'kam pasur probleme të tilla në Angli, ja pse... nuk është se dua ta them... por ja pse do doja të kthehesha në Angli" - ka thënë 32-vjecari. Kjo fjali e bërë publike ka rindezur edhe njëherë debatin te Reali i Madridit, ku gjatë verës u përfol shumë se portugezi mund të largohej nga 12 herë kampionët e Evropës. Si duket deklaratat e Florentino Perezit se në këtë mes nuk ka pasur asgjë të vërtetë, nuk paskan qenë me shumë baza.