Grupi B, PSG dhe Bayern luajnë për vendin e parë

paris
PSG pret sot të festojë kualifikimin si e para e grupit B duke luajtur në shtëpi kundër Celtic-ut, skuadër të cilën e mundi 5-0 në fillimin e këtij sezoni të UEFA Champions League. Që nga ajo përballje, francezët janë treguar të jashtëzakonshëm duke mundur Bayernin dhe dy herë Anderlechtin me një golavarazh të frikshëm 17 gola të shënuar dhe zero të pësuar. Pa asnjë humbje këtë sezon, ata mund të shkruajnë një kapitull historie të Championsit, nëse edhe në dy ndeshjet e mbetura nuk pësojnë gol duke u bërë e vetmja që e mbyll fazën në grupe me rrjeta të paprekura. Gjithashtu mund të arrihet edhe rekordi i më shumë golave të shënuar, rekord që mbahet nga Dortmundi me 21 realizime. Sidoqoftë trajneri Unai Emery nuk ka preferuar të përqenrdohet këtu, por vetëm te synimi për ta mbyllur të parët në grup. Nga ana tjetër i vetëdijshëm për përballjen e vështirë, Brendan Rodgers e ka cilësuar PSG një skuadër me “më të mirët e të mirëve”. Paralelisht me këtë përballje në Bruksel Anderlechti pret Bayernin e Munich-ut. Edhe pse të kualifikuar, bavarezëve u duhet fitorja për të luajtur deri në fund shanset për vend të parë. Trajneri Jupp Heynckes ka mundur t’i rizgjojë potencialet e skuadrës. Në fundjavë ai festoi fitoren e 500 të Bayernit në Bundesligë dhe ka premtuar se grupi do jetë edhe më i fortë me rikthimin e të lënduarve Neuer, Ribery apo Muller. Për belgët e Hein Vanhaezebrouck synimi primar mbetet shënimi i të paktën një goli, pasi këtë edicion të UEFA Champions League ende nuk është parë një realizim prej tyre.