Champions, eliminimi i kushton 30 milionë euro Atleticos, që tanimë rimendon planet e sezonit

atleijahs
Eliminimi i Atleticos së Madridit nga Champions League-a, i kushton klubit spanjoll plot 30 milionë euro. Los Rojiblancos, të cilët kanë qenë dy herë finalistë në 4 sezonet e fundit, do të duhet të shtrëngojnë shpenzimet, sidomos në merkato, pasi gjërat mund të shkojnë edhe më keq nëse ky vit futbollistik mbyllet pa trofe. Vitin e kaluar Champions League-a u dha bardhekuqve të Madridit plot 60 milionë euro të ardhura. Por këtë vit kjo shumë nuk është arritur aspak. Vetëm 16.2 milionë euro janë paratë e fituara në fazën në grupe, kjo pas 4 barazimesh, 1 fitoreje dhe 1 humbje. Në shumën tjetër, përfshihen biletat dhe marketingu që e cojnë këtë shifër në rreth 30 milionë. Shtypi spanjoll fut në këtë llogari edhe pjesëmarrjen në Europa League, ndërkohë cështja bëhet serioze nëse merret parasysh edhe plani për merkaton. Atletico ka shpenzuar 66 milionë vetëm për të transferuar sërish në Madrid ish-in Diego Costa dhe 36 milionë për Vitolon, ndërsa në listën e të dëshiruarve të Simeones për janarin janë lakuar plot lojtarë, por që tanimë duket se duhet rishikuar, ose së paku, shkurtuar. Gjithsesi në Spanjë ka nga ata që mendojnë pozitivisht. Tifozët presin që falë mbështetjes së tyre skuadra të mbetet pretendente sidomos në La Liga, atje ku distanca me Barcelonën në krye, është 6 pikë dhe në dhjetor katalanasit përballen me Realin e Madridit.