Kamala Harris, të gjitha identitetet e gruas së parë zëvendëspresidente të SHBA

Aktualitet Politikë

Pasi Joe Biden e zgjodhi si bashkudhëtare në zgjedhjet e fundit amerikane, ajo vendosi të përdorte emrin e koduar “Pioneri” për shërbimet sekrete, të cilat filluan ta mbronin gjatë fushatës zgjedhore. Sigurisht që demokratja 55 – vjeçare Kamala Harris e meriton epitetin “Pioneri” për shkak të arritjeve të shumta  në karrierën e saj profesionale: si gruaja e parë me ngjyrë që u zgjodh avokate në rrethin e Kalifornisë, gruaja e parë prokurore e Përgjithshme, senatorja e parë e SHBA-së me origjine indiane dhe afro-amerikane dhe tashmë edhe zëvendëspresidenti i parë femër, me ngjyrë dhe aziatike e SHBA-së.

Kamala ka lindur në Berkley në 20 tetor në vitin 1964, si vajza e dy akademikëve, studiueses indiane të onkologjisë, Shaymala Gopalan dhe ekonomistit nga Xhamaika, Donald Harris, të cilët i bashkonte pasioni për të drejtat civile. Nëna e saj zgjodhi për të një emër luftarak sepse Kamala do të thotë “zambak uji”, por është dhe një emër që tregon për hyjneshën hinduiste Lakmshi dhe forcën e grave.

“Një kulturë që adhuron hyjneshat, prodhon gra të forta.”, – ka thënë nëna e saj në një intervistë.

Mbas divorcit të prindërve të tyre, Kamala dhe e motra Maya, qëndruan në Berkley dhe morën pjesë në programet e integrimit shkollor duke shkuar çdo ditë me autobus nga lagjia e tyre afrikano –amerikane, në një shkollë fillore në një lagje të pasurish. Në këtë kohë ajo bashkë me të motrën ndoqën tempullin Hindu dhe Kishën Baptiste Afrikano-Amerikane. Ndikim të madh te ajo kanë pasur dhe vizitat te familja në Indi, në veçanti gjyshi që ka qenë një zyrtar qeveritar që ka luftuar për pavarësi dhe gjyshja, një aktiviste që udhëtonte në fshatra indigjenë për t’i dhënë mësime grave fshatare rreth planifikimit familjar.

Pas shkollës së mesme, të cilën e ka mbarur në Montreal, ndërkohë që mamaja e saj jepte mësim në universitet, ajo u diplomua në Universitetin Hoëard dhe më pas shkoi në San Francisco për të vazhduar shkollën për drejtësi. Në vitin 1990 bëhet avokate në zyrën e prokurorit në Oakland duke u përqendruar në krimet seksuale. Familja e saj me ide liberale nuk e priti mirë bashkëpunimin e saj me prokurorinë, që kishte një reputacion të keq, por ajo u përgjigj që synonte ta ndryshonte sistemin nga brenda.

Vitet që kaloi në zyrën e Prokurorit i përdori për të bërë kontakte me qarqet e pasura të San Franciscos, të cilët mbështetën fillimin e karrierës së saj në politikë. Mbas zgjedhjes së saj si Prokurore e Përgjithshme u bë një nga aleatet më të mëdha të Barack Obama e cili e quajti “ Prokuroren më magjepsëse në vend” duke kërkuar falje më pas për tonet seksiste të përdorura në këtë etiketim, ndonëse pozitiv.

Në vitin 2015 ajo u martua me Doug Emhoff një avokat në Hollyëood, i cili ka dy fëmijë adoleshentë nga martesa e mëparshme që tashmë e thërrasin atë,  “Momala”.  Bashkëshorti i saj është gjithashtu “ Zotëria i dytë”  i parë, në Shtëpinë e Bardhë dhe gjithashtu hebreu i parë i martuar me një president apo zëvendëspresident.

Mbas takimit të parë, ai tregonte që nuk mund të mos mendonte për të dhe telefonatën e dytë e bëri herët në mëngjes duke i thënë: “Kisha një takim në mëngjes dhe nuk të hiqja dot nga mendja. E mendova që ishte shumë shpejtë për të të marrë në telefon dhe i thoja vetes: “ Mos u bëj ai burrë”, “ Mos e merr në telefon”, “ Mos e bëj””;  një mesazh që ajo ende ruan në telefonin e saj. Marrëdhënia e tyre bëri hapa të shpejtë dhe mbas një viti ai ishte në gjunjë duke i kërkuar dorën ndërkohë që ajo kërkonte një palë tuta dhe nuk e kishte dëgjuar që ai donte të kalonte gjithë jetën me të.

Historia e zëvendëspresidentit të parë të Amerikës është plot detaje dhe ngjarje interesante. Shpresojmë që ajo të jetë një pioniere në drejtimin e botës siç ka qenë në shumë dimensione të jetës së saj.