Manastirliu: Nuk parashikohet një mbyllje e dytë, megjithatë ka një por…

Aktualitet Botë/Rajon

Vendi nuk do të kalojë një karantinë të dytë, por ekspertët në varësi të numrit të rasteve do të bëjnë një vlerësim. Kështu shprehet ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, ndërsa sot u regjistrua numri më i madh i rasteve me Covid që nga dita kur u zbulua i infektuari i parë në vend.

“Nuk parashikojmë mbyllje, por do ketë vlerësim dinamik gjithsesi nga ekspertët. Por dua të theksoj ndërgjegjësimin e individit në raport me situatën, Është ky një apel që duhet bërë nga të gjithë edhe nga mediat. Qytetarët duhet ta kuptojnë përmasën e situatës. Ju bëj thirrje qytetarëve të mbajnë maskë në ambientet e mbyllura”, tha ministrja.
Ndërkohë me një status në Facebook, Manastirliu bëri me dije se brenda këtyre ditëve do të rihapet si spital Covid 2, Sanatoriumi.

“Kemi zgjedhur këtë skenar për shkak të kapaciteteve dhe për shkak të ekipit të specializuar që ky spital ka. Pacientët që vuajnë nga sëmundjet e mushkërive do të trajtohen pranë spitalit Nënë Tereza”, shkroi ministrja.