Njihuni me Natalinë, foodblogeren më të vogël të Instagramit

Lifestyle

Siç thotë dhe ajo shprehja: Dardha bie nën dardhë! Nëse po pyesni veten se për cilin personazh e kemi, ju themi që nuk është ndonjë vajzë e ekranit me mijëra ndjekës në instagram apo ndonjë blogere e bërë e famshme së fundmi. Sot do ju prezantojmë me Natalinë, një vajzë e vogël me një pasion të madh për gatimin.

E për të bërë lidhjen me shprehjen, nuk kishte sesi Natali të mos e dashuronte ushqimin, kur mamaja e saj, ideatorja dhe foodblogerja ,mirëmban një nga faqet më të ndjekura dedikuar shijes Paparen.

Me Mirela Andoni dhe familjen e saj të bukur jemi njohur edhe më parë, kur Santana Çomora i kushtoi një shkrim.

E ndërkohë që faqja shtohet dita ditës edhe me fansa të rinj të cilët me një postim të bërë kërkojnë menjëherë edhe recetën e radhës, duket se Papare shumë shpejt do të ketë një rivale të denjë. Të bijën e saj, e cila ka rubrikën e vet në hapësirën virtuale të Balonave, një website, një komunitet vërtetë i këndshëm, argëtues dhe informues për fëmijët e prindërit.

Më herët në revistë Mirela ka pohuar se në shtëpinë e saj të gjithë janë me shije të ndryshme! I shoqi shumë tradicional, vajza e madhe ka qejf të provojë gjëra të reja ndërsa vajza e vogël shumë përzgjedhëse, kështu që ajo përpiqet që të gjithëve t’ua plotësojë dëshirat. Të ketë qenë vallë kjo arsyeja përse dhe e vogla e shtëpisë filloi të gatuajë vetë ushqimet që ajo pëlqen dhe t’i sjellë videorecetat e saj për të gjithë ndjekësit e Balonave e jo vetëm? Receta e saj e parë është: Pite dhe ne mezi po presim recetat e tjera.