lorkuperlajm

“UEFA Champions League” është gati të rindezë prozhektorët në arenat më të lavdishme kontinentale dhe padyshim të mbërthejë përpara ekraneve gjithë planetin. 16 skuadra nisin betejat dhe rrugëtimin drejt Madridit, një marshim që do të përmbajë brenda vetes gëzim për fituesit e çdo faze dhe lot për ata që do të ndërpresin udhëtimin në rrugë e sipër, sepse më 1 qershor “Metropolitano” do të mirëpresë vetëm dy skuadrat më të forta të kontinentit. Faza e 1/8-ave ofron duele mjaft të forta, teksa të gjitha sfidat premtojnë emocione të mëdha dhe spektakël të paharrueshëm. Mbrëmjen e së martës marrin jetë superduelet Man.Utd - Paris SG dhe Roma - Porto, mënyra më e mirë për të ndezur motorët e garës së ethshme për kualifikim.

Të mërkurën Ajax i rikthyer në elitë përballet me Realin e Madridit kampion në fuqi, ndërsa Tottenham dhe Dortmund i japin jetë një përballjeje që është shndërruar në një klasike këto vitet e fundit. Pjesa e dytë e ndeshjeve të vajtjes konsumohet me 19 dhe 20 shkurt, kur padyshim spikatin dy supersfida si Atl.Madrid – Juventus dhe Liverpool – Bayern, ndër katër duele gjithsej. Tetë ndeshjet e kthimit konsumohen më 5, 6, 12 dhe 13 mars. Risia e jashtëzakonshme e këtij edicioni është padyshim sistemi VAR, i cili bëhet pjesë e lojës në raundet me eliminim direkt. Ndihma e sistemit video do të përdoret tashmë edhe në kompeticionin më të rëndësishëm të klubeve, për të mos hasur më, në gabime të arbitrave dhe për të shmangur çdo polemikë.

E gjithë magjia e UEFA Champions League do të përcillet Live dhe Ekskluzivisht në Tring, ku emocioneve të ndeshjeve iu shtohen ato të “Studio Champions League”, emisionit të dedikuar që starton në orën 20:00 me analizë, informacione dhe gjithçka që duhet të dini në prag të sfidave dhe me përmbledhjen e golave dhe analizën e detajuar në fund të tyre. Nuk ju mbetet gjë tjetër, veçse të zgjidhni ndeshjen tuaj të preferuar, sepse për gjithçka tjetër mendon Tring.