Kanal D-Drama ekskluzivisht në Tring me 5 premiera turke të patransmetuara më parë

Programe

Në një kohë kur të gjitha mediet rrotullohen rreth një teme e armiku të përbashkët Coronavirus-it, Tring vendos të sjellë ekskluzivisht për të gjithë shikuesit një kanal të ri. Një kanal që do t’ju zhysë në botën e magjishme të serialeve turke.

Kanal D Drama, është kanali më i ri në Tring që ka filluar të transmetojë në 30 mars serialet më të suksesshme turke. Një ekskluzivitet në Shqipëri dhe Kosovë, një risi absolute, pasi kanali është realizuar nga Tring, me kontentin e një rrjeti aq të madh mediatik sa Kanal D në Turqi. Të gjithë tituj premierë, të patransmetuar më parë në territorin tonë, të përkthyer dhe titruar mjeshtërisht në shqip.

Kanal D Drama do të shoqërojë pasditet tuaja me 5 episode premierë dhe me ritransmetime gjatë gjithë ditës. Por, jo vetëm kaq. Për 7 ditë kanali do të jetë FREE për të gjithë shikuesit e Tring. Pesë prodhimet e suksesshme: “Dashuri dhe mëkat”, “Dashuri e plagosur”, “Koha kalon”, “Krenari dhe respekt” dhe ”Dashuria e jetës time” tani mund t’i shikoni falas për një javë në Kanal D-Drama.

Pesë seriale që i përkasin gjinive dhe tematikave të ndryshme duke përmbushur të gjitha kërkesat e shikuesve.

Dashuri dhe mëkat

Një betejë e ashpër mes dy grave, ku kryefjalë është pabesia. Seldës nuk ia merrte kurrë mendja se e bija e shoferit të të shoqit, Nesrini, e cila hyri në jetën e saj për të kërkuar strehë, do t’ia uzurponte atë plotësisht. Selda ndihet e poshtëruar, kur i shoqi e tradhton me vajzën të cilën e mirëpritën në shtëpi si të ishte e bija. Selda dhe Kerimi janë martuar që në moshë të re së bashku dhe ajo ka sakrifikuar gjithçka për familjen dhe fëmijët. Kur Nesrini shtie në dorë gjithçka që ajo e mbronte me aq ngulm dhe që e kishte ndërtuar me aq mund, Selda ndien keqardhje për jetën e saj të lënë pas dore për vite me radhë. E megjithatë, nuk ka ndër mend të dorëzohet!

Krenari dhe respekt

Jiti, Emiri dhe dy prindërit e tyre janë një familje si shumë të tjera që vjen nga Ajvaliku në Stamboll, deri kur Hasani, kryefamiljari, i zhytur në borxhe për të menaxhuar dyqanin e vogël familjar dhe i zënë ngushtë në çarkun e mafies, vret veten. Kjo ngjarje tragjike i shtyn të dy vëllezërit që të marrin hak për vdekjen e babait të tyre, secili sipas mënyrës së vet. Ndërkohë që Jiti vepron sipas ligjit, Emiri shfrytëzon edhe mjete ilegale për t’ia arritur qëllimit dhe për të vënë në vend drejtësinë. Por, në rrugën e tyre ndeshin Sibelin, një vajzë që shndërrohet në “mollë sherri” dhe ndjell përçarje mes tyre.

Koha kalon

Është viti 1967 dhe kapiteni Ali Arkasu e kalon pjesën më të madhe të kohës i ndarë nga familja. Teksa ai është larg, e shoqja, Xhemilja, kujdeset për katër fëmijët e tyre. Kur një ditë kthehet në shtëpi, Xhemilja gjen një letër ku thuhet se i shoqi e tradhton me një të huaj që quhet Karolina, një grua që e josh, e manipulon dhe e bind t`i kthejë shpinën gruas dhe fëmijëve. Që prej këtij momenti, asgjë nuk do të jetë më njëlloj në familjen Arkasu. Këtu e ka zanafillën një histori emocionuese plot konflikte e dilema shpirtërore, gjatë së cilës Xhemilja ka vetëm një mision, të mbrojë me çdo mjet fëmijët e saj.

Dashuri e plagosur

Në vitet e fundit të Perandorisë Osmane, kur në Ballkan kishte nisur lufta, një familje gjendet e ndarë nga rrethanat, bën çmos për të qëndruar e bashkuar. Xhevdeti, një gjeneral i ushtrisë turke, si pasojë e një komploti, shpallet tradhtar dhe bashkohet me ushtrinë greke, por me një mision të fshehtë. Ndërkohë, e shoqja, Azizja, rrit fëmijët e vegjël së bashku me të vjehrrën dhe përballet e vetme me vështirësitë e periudhës së luftës dhe mungesën e bashkëshortit, të cilin e dashuron më shumë se gjithçka. Një epikë ngjarjesh emocionuese e konfliktuale, një histori mbi familjen, dashurinë, patriotizmin, lakminë, sakrificën edhe përkushtimin.

Dashuria e jetës sime

Një komedi romantike e mrekullueshme, ku në lojë është dashuria. Gokçe është një vajzë që po shkon drejt të 30-tave, punon në një agjenci publicitare dhe ende nuk ka gjetur një partner. Teksa shikon të gjithë miqtë përreth të martohen e të krijojnë familje, befas vendos se do të dashurohet me shefin e saj, Demirin. Ky i fundit është ëndrra e çdo vajze, pasi është i pashëm dhe i pasur. Por a do të mundet Gokçe të bëjë për vete Demirin dhe a do ta gjejë më në fund edhe ajo dashurinë e jetës?

Ku mund ta shihni Kanal D Drama?