Facebook dhe Twitter penalizojnë Trump për një postim rreth Covid-19

Teknologji

Facebook ka bërë të qartë që nuk do të lejojë postime të pavërteta rreth Covid-19 dhe do t’i penalizojë ato, duke mos kursyer as presidentin Trump. Ky i fundit kishte publikuar një deklaratë të tijën ku pretendonte se fëmijët ishin “pothuajse imunë” ndaj koronavirusit.

Facebook fshiu videon nga një intervistë që Trump dha për Fox News – duke thënë se ajo përmbante “dezinformata të dëmshme për Covid”.

Pas Facebook, edhe Tëitter fshiu një postim nga e njëjta intervistë pasi sipas Shëndetit Publik Amerikan, fëmijët nuk janë imunë ndaj Koronavirusit.

“Kjo video përfshin pretendime të rreme se një grup njerëzish janë të imunizuar nga COVID-19 që është një shkelje e politikave tona rreth dezinformimit të dëmshëm të COVID”, u shpreh një zëdhënës i Facebook mbrëmjen e së mërkurës.

Muajin e kaluar Twitter pezulloi përkohësisht djalin e zotit Trump, Donald Jr, për një video mbi koronavirusin dhe hidroksiklorokinën.