rashica

Historia e Milot Rashicës ka bërë jo pak jehonë në mediat ndërkombëtare. Lojtari i Verder Bremen konsiderohet nga ata që janë të destinuar të bëjnë të flitet shumë për veten në vitet e ardhshëm. Anësori sulmues i datëlindjes '96, i lindur në Kosovë dhe që iu largua luftës bashkë me familjen, ka qenë një nga protagonistët e javës së fundit të Bundesligës gjermane. Ishte Rashica që realizoi golin me vlerën e 3-pikëve për Verder, në fushën e Eintraht Frankfurtit. I aktivizuar si zëvendësues, kosovari ia doli të lërë shenjën e tij në mënyrën më të bukur, me një perlë nga goditja e dënimit. Gjithsesi është historia që ka prapa krahëve, ajo që ka bërë më kuriozë mediat gjermane, e jo vetëm. I lindur më 28 qershor '96 në Vushtri, pikërisht në kohën e konfliktit serbo-kosovar, Miloti u mbijetoi bombave dhe u rrit futbollstikisht në skuadrën e vogël të qytetit të tij. Një adoleshencë e tërë, në dedikim të futbollit. Veç talentit, edhe dëshira e tij për të çarë ishte e madhe. Dhe fillimet janë premtuese, aq sa menjëherë erdhi edhe thirrja e Kombëtares shqiptare U-17. Megjithatë ishte sezoni 2013/14, ai i shpërthimit të Rashicës, edhe pse ende nuk ka mbushur 18 vjec, pasi udhëheq skuadrën e tij të vendlindjes në titullin e parë historik kombëtar. E menjëherë bie në sytë e Viteshes. Klubi holandez me një vëmendje të veçantë për talentet e rinj e merr pa e menduar dy herë. Befason që në sezonin e parë, me një bilanc prej 8 golash e 7 asiste. Jo keq për një futbollist 19-vjecar. Menjëherë, Rashica përfundon në axhendën e shumë klubeve evropianë, por edhe në atë të teknikut të Kombëtares shqiptare, De Biazi, i cili e afron për miqësoret përgatitore të Euro 2016.

milot

U duk fillimi i një karriere të madhe me Shqipërinë, por nuk ndodh kështu, sepse De Biasi e zhgënjen duke mos e grumbulluar për në finalet e Evropianit francez. Kështu që disa muaj më pas, Rashica vendos të luajë për Kosovën, që ndërkaq është njohur nga FIFA dhe UEFA. Paralelisht, lojtari vijon të shkëlqejë me Viteshen, ku fiton edhe një Kupë të Holandës. Teksa në 2 vjet e gjysmë me klubin nga Arnhem, koleksionoi 100 ndeshje, të pasuruara nga 15 gola e 24 asiste. Shifra të denja për një "top player" që shtyjnë ëerderin ta tërheqë në Gjermani duke nisur nga janari 2018. Dhe parapriu konkurencën e madhe, që pritej të ndizej në merkaton verore. Goli i tij i parë gjerman erdhi që në ndeshjen e tretë, në fitore 3-1 kundër Këlnit. Gjithsesi duket se për ulërimë ka qenë sidomos fillimi i këtij kampionati, me atë gol të minutës së 96' ndaj Eintrahtit. Që e nxorrën në faqen e parë të gazetave. Si një lojtar me shumë cilësi të spikatura, për Raschiën duket se ka ardhur momenti të vjelë frutet e punës. Nga bir i luftës, tashmë është kthyer një nga yjet e rinj të Bundesligës.