jorgeee
Jorge Lorenzo në ditët e fundit ka dhënë deklarata që sulmonin kampionin e botës në fuqi dhe shokun e tij të ardhshëm të skuadrës, Marc Marquez. Kjo ndodh për shkak se Lorenzo fajëson lëvizjen e Marquez në kthesën e parë të garës së Aragon për dëmtimin e tij, që e mbajti edhe jashtë garës së Tajlandës.  Megjithatë piloti aktual i Ducatit ka ditur të shfaqë edhe mirënjohje ndaj Marquez. Sezonin e ardhshëm, 31-vjeçari do të jetë pjesë Hondas, ku do të garojë përkrah Marquez. Prej kohësh kjo lëvizje është parë me skepticizëm, pasi në bokset e 'MotoGP' nuk besojnë se dy pilotët pretendentë për t'u shpallur kampionë bote, do t'ja dalin të bashkëjetojnë tek Honda. Marquez thuhet se është pyetur nga drejtuesit e markës japoneze nëse do të ishte dakord me transferimin e një prej rivalëve të tij për çështjen e titullit, dhe për pilotin spanjoll duket se nuk ka patur aspak problem.

marc
"Për mendimin tim, Marquez ka pranuar kalimin tim te Honda pasi nuk kërkon të shfaqë asnjë pikë të dobët dhe se beson tek potenciali i tij. Kur isha në bisedime me ta po kaloja një moment të vështirë, dhe më vjen mirë që Marquez nuk e pati problem këtë kalim timin, pasi është një mundësi e mirë për mua për të arritur diçka ndryshe nga këto 2 sezone të kaluara tek Ducati".  Lorenzo dhe Dovizioso arritën të gjejnë ritmin e motorit Ducati vetëm në pjesën e dytë të sezonit, kur Marquez kishte arritur një shkëputje të lehtë në renditje e nga ku spanjolli i Hondas menaxhon i qetë rrugën drejt titullit të tij të 5 si kampion bote në 'MotoGP'.