gjimshiti
Pas një fillimi shpresdhënës, prej 5 javësh kampionati, Berat Gjimshiti nuk ka arritur të luajë qoftë edhe një minutë me Atalantën. E të thuash që e kishte nisur mirë këtë sezon, me aktivizime në 3 ndeshje në Serinë A, si dhe në një sfidë të fazës eleminatore të Europa League. Mirëpo ja që me daljen nga Kupat e Evropës, trajneri Gasperini nuk pati më nevojë për rotacion dhe i besoi treshes së mbrojtjes me më shumë përvojë, të përbërë nga Toloi-Palomino-Masiello. Kështu, mbrojtësi shqiptar u shndërrua në rezervë. Megjithatë duket se fati po kthehet sërish në favor të Gjimshitit. Lajmi i fundit është për një dëmtim në kofshën e djathtë, që është pësuar nga Masielo, aq sa do të duhet të mungojë për të paktën 1 muaj. Kjo do të thotë se një nga ata që mund ta zëvendësojnë mjaft mirë veteranin e mbrojtjes është pikërisht mbrojtësi 25-vjecar shqiptar. Atij mund t'i jepet shansi që në fundjavën e ardhshme, atëherë kur Atalanta do të luajë ndeshjen e radhës për kampionat, në Verona ndaj Kievos.

gjgj
Sikur të mos mjaftonte kaq, gjithmonë e më shumë po shtohen sinjalet në lidhje me një rinovim të kontratës për Gjimshitin me Atalantën. Marrëveshja aktuale e tij skadon në 2019-n dhe konsiston në 300 mijë euro për sezon, por të gjendur përpara detyrimit për të pasur sa më shumë mbrojtës në dispozicion, po bën që drejtuesit e klubit bergamaskë të kërkojnë të zgjasin kontratën me lojtarin e Kombëtares kuqezi. Natyrisht duke i rritur edhe pagën. Nga të dhënat që vijnë prej mediave italiane javët e fundit agjenti i tij dhe drejtori sportiv i Atalantës, Sartori, kanë nisur diskutimet. Bëhet fjalë për një rinovim edhe prej 3 vitesh të tjerë, me të drejtë edhe për një tjetër vit. Gjithmonë nëse gjërat do të shkojnë mbarë.