panicui


Përtej rikthimeve të disa lojtarëve, dy ishin risitë e mëdha të listës që bëri publike trajneri i përfaqësueses shqiptare të futbollit, Kristian Panuçi, për sfidën kundër Skocisë në Ligën e Kampioneve, si dhe atë miqësore ndaj Uellsit.
E reja më befasuese mban emrin e Ardian Ismajli, i cili me sa duket ka pranuar përfundimisht të bëhet pjesë e Shqipërisë duke i dhënë lamtumirën Kosovës. Aty ku të paktën deri 1 muaj më parë, mbante shiritin e kapitenit të përfaqësues U21. Por ja që mbrojtësi I Hajduk Splitit në Kroaci, për shkak të problemeve që ka pasur me trajnerin e Kombëtares kosovare, ka zgjedhur të ndjekë hapat e Kastriot Dermakut, i cili gjendet përsëri në listën e Panuccit për dy ndeshjet e radhës.
Kurse emri tjetër që ka tërhequr vëmendjen në listë është ai i Loret Sadikut. Ky futbollist u shkëput nga Suedia, me qëllimin për t’iu bashkuar përfaqësueses shqiptare në vitin 2015. Mirëpo në një moment, u distancua nga kuqezinjtë, për t’u shfaqur te Kosova, me të cilën luajti disa miqësore. Megjithatë, FIFA nuk i dha të drejtën mbrojtësit për t’u aktivizuar në ndeshje zyrtare me Kombëtaren kosovare. Në një situatë të tillë, ai bëri të ditur se nuk mund të ndryshonte më përfaqësuese. Ndaj pas dy vitesh “I zhytur” në harresë, 27-vjeçari që luan me Kasimpasha në Turqi, vendosi t’i bashkohet përsëri Shqipërisë. Duke bërë që Kombëtares kuqezi t’I rikthehet një Sadik, në pritje të sulmuesit, Armandos, i cili vazhdon të jetë në fazë riaftësimi.