Christian Panucci
Vijon të mos dallohet nga ana e trajnerit Panucci dhe stafi e tij të Kombëtares shqiptare. Mirëpo Florjan Andoni, mesfushori shqiptar i AEL Larisës, nuk po kursen paraqitjet e mira në Greqi. Ai po kalon një formë të shkëlqyer në kampionatin grek, jo vetëm duke luajtur me rregullsi, por edhe duke gjetur rrugën e rrjetës. E bëri këtë edhe në ndeshjen e fundit të luajtur të hënën përballë Panetolikos të Enea Mihajt. Lojtari 27-vjecar arriti të shënojë dy herë, duke ndihmuar skuadrën e tij të marrte një barazim të vyer në transfertë.

panucci

Panetolikos fiksoi një avantazh të dyfishtë me Mazurek e Bajroviç në pjesën e parë, por në të dytën u ngjit në skenë Andoni, duke bërë diferencën me lojën e tij. Fillimisht, ai shënoi golin që shkurtoi diferencën në minutën e 82-të, kurse 7 minuta më vonë, barazoi shifrat me një penallti të realizuar saktë dhe që vulosi barazimin 2-2. Kësisoj, mesfushori ka çuar në 4 numrin e golave në këtë sezon për Larisën, që lufton për të mbijetuar në elitën e futbollit grek. Andoni është titullar i padiskutueshëm në radhët e Larisas dhe shpesh, i ati është ankuar përse Federata Shqiptare e Futbollit nuk e merr në konsideratë të birin, për ta përfshirë në grumbullimet e Kombëtares shqiptare.