shorti ucl
Është hedhur në Nion të Zvicrës shorti i fazës çerekfinale të Champions League që ka rezervuar përballje mjaft interesante, ku spikat ajo mes Barcelonës dhe Manchester United. Dy gjigandët e Europës premtojnë spektakël dhe emocione të jashtëzakonshme, në rikthimin e Solskjaer në 'Camp Nou', 20 vite pas finales së famshme kundër Bayern. Fituesi i këtij çifti do të sfidojë në raundin tjetër fituesin e takimit Liverpool-Porto. Një short komod për 'të kuqtë', që kundër kampionëve në fuqi të Portugalisë në kompeticionet europiane numërojnë një bilanc pozitiv, pasi nuk janë mundur asnjëherë.

171460699.0

Ajax-i do të ketë një tjetër ndeshje të vështirë, pasi do të përballet me Juventusin e Cristiano Ronaldos. Të dyja skuadrat vijnë në çerekfinale nga përmbysjet, prandaj për kampionët e Italisë nuk mund të konsiderohet një short i lehtë. Ky do të jetë edhe shansi i holandezëve për të marrë hak për finalen e vitit 1996, të cilën 'Zonja e vjetër' e fitoi me penallti. Fituesi i kësaj përballjeje do të takohet në gjysmëfinale me njërën mes Tottenham e Manchester City. Një përballje kjo që është e gjitha për t'u zbuluar, pasi për herë të parë në historinë e tyre, këto dy skuadra përballen me njëra-tjetrën në një kompeticion europian. Ndeshjet e para të fazës çerekfinale të Champions League për këtë sezon do të zhvillohen më 9 dhe 10 prill, ndërsa ato të kthimit më 16 dhe 17 të po të njëjtit muaj, pjesë të rrugëtimit për në finalen e 1 qershorit në ‘Wanda Metropoliatano’.