juve napoli
Fundjava e kampionatit italian pa për herë të parë Juventusin të mundej për këtë sezon. Pas 27 javësh me 24 fitore, skuadra e Massimiliano Allegrit u mposht 2-0 nga Genoa. Në Luigi Ferraris ndeshja u zhbllokua nga një ish-juventin si Sturaro në pjesën e dytë. Juventusi që luante pa Ronaldon vinte pas përmbysjes 3-0 të Atleticos në Champions League dhe nuk mundi ta përmbysë dot Genoan, madje vuajti dhe një gol tjetër të realizuar nga Pandev. Fitorja nuk ishte rastësi. Skuadra e Prandellit e kishte ndalur Juventusin 1-1 në Torino gjatë muajit tetor. Për Allegrin mbyllet një rekord prej 31 javësh pa humbje që prej 22 prillit të vitit 2018-të, por sidoqoftë ata mbeten të parët në kampionat me 15 pikë distancë nga Napoli. Ndërkohë pikërisht Napoli fitoi 4-2 ndaj Udineses. Në San Paolo pjesa e parë pa plot 4 gola nga dy për secilën skuadër. Fillimisht skuadra e Ancelottit kaloi në avantazh të dyfishtë me anë të Younes dhe Callejon, por u barazua pas minutës së 30-të nga Lasagna dhe Fofana.

napoli serie a italy 4129390

Sidoqoftë për Napolin pjesa e dytë ishte më e mirë. Dy gola të Milik dhe Mertens arkivuan tre pikë me vlera për rikthimin në ecurinë pozitive në kampionat pas një humbje dhe një barazimi. Nga fundjava e Serie-A-së ra në sy humbja e Romës me Spalin. Ashtu si në muajin tetor ku Spali fitoi 2-0 në Olimpico duke dominuar verdhekuqtë, edhe në Paolo Mazza skuadra e Semplicit dominoi ekipin e drejtuar tashmë nga Claudio Ranieri. Goli i Fares u barazua përkohësisht nga Perotti, por vetëm kaq. Spali fitoi ndeshjen 2-1 me penalltinë e Petagnas dhe Roma vë seriozisht në rrezik prezencën në Champions League pasi mbetet prapa Milanit me 5 pikë, ndërsa në fund të muajit ndeshet me Napolin, një sfidë që parashikohet vendimtare për të ardhmen.