Bayern bën ofertë zyrtare për Thuram, Inter mund të tërhiqet nga gara

Sport

Prej disa ditësh flitet se Interi ka shfaqur interes konkret për të firmosur me sulmuesin e Monchengladbach, Marcus Thuram. Zikaltërit shohin tek 25-vjeçari karakteristikat e duhura për t’u përforcuar që në merkaton e janarit, mirëpo janë duke hasur në konkurencën e fortë të Bayern Munich. Bavarezët po ashtu ndjekin prej kohësh djalin e legjendës franceze, Lilian, ndërkohë që së fundmi raportohet se për sulmuesin ka ardhur edhe një ofertë zyrtare. Bayern i garanton Thuram një kontratë 5-vjeçare, nga ku do të përfitonte 6 milionë euro në sezon. Ky propozim duket mjaft joshës për lojtarin, që do të shihte një rritje të madhe të pagës së tij. Interi nga ana tjetër nuk ka ndërmend të ofrojë një shumë të tillë, pasi zikaltërit i kanë bërë të qarta politikat e tyre sa i përket pagave të lojtarëve. Klubi milanez mund të tërhiqet nga gara për Thuram, edhe pse mund të bëhet edhe një tentativë e fundit për afrimin e tij. Interi do të paraqesë për Monchengladbach një ofertë prej 10 milionë eurosh, për ta bërë realitet këtë transferim brenda janarit të ardhshëm. Skuadra gjermane do të ishte padyshim më e kënaqur me një lëvizje të tillë, pasi nuk dëshiron largimin e Thuram pa asnjë përfitim financiar në fundin e sezonit. Sulmuesi e ka bër të qartë se nuk ka asnjë shans për rinovimin e kontratës së tij, por dëshira e vetë francezit mund të luajë një rol të rëndësishëm, nëse ai do të presë verën e ardhshëm për t’u bërë pjesë e Bayern-it, apo do të kërkojë një transferim tek Inter-i që në merkaton dimrëore. Gjatë sezonit aktual, në radhët e Monchengladbach, Thuram llogarit 17 ndeshje të zhvilluara mes kampionatit gjerman dhe ‘Kupës së Gjermanisë’, duke regjistruar 13 gola e 4 asiste.