Botërori/ Maroku rezulton surpriza e Grupit F, kalon edhe Kroacia

Sport

Përpara nisjes së Botërorit, pak kush mund ta kishte besuar që Maroku do ishte surpriza e Grupit F, ndonëse aty ishin kundërshtarë si Belgjika, Kroacia, apo edhe Kanadaja.

Megjithatë, përfaqësuesja afrikane ia doli mbanë në një mënyrë të suksesshme, duke pësuar vetëm një gol përgjatë 3 ndeshjeve të luajtura, nërsa arriti të shënonte 4 të tillë.

Në takimin e fundit, atë ndaj Kanadasë, Maroku fitoi me rezultatin 2-1, falë golave të Hakim Ziyech dhe En Nesyri. Ziyech është lojtari i tretë maroken që jep një assist dhe shënon një gol në një edicion të Kupës së Botës. Një gjë të tillë përpara tij e kanë bërë Hadji dhe Hadda.

Sa i përket lojtarit tjetër që shënoi, En Nesyri është bërë lojtari i parë në historinë e Marokut që realizon të paktën një gol në dy Botërorë të ndryshëm. Me këtë sukses dhe me një total prej 7 pikësh, Maroku u kualifikua në raundin e 1/8-tave të Kupës së Botës, duke dalë si i pari në Grupin F. Nuk kishte ndodhur që nga viti 1998 që një përfaqësuese afrikane ta mbyllte grupin si kryesuese në një Kupë Bote.

Si e dyta e grupit u rendit Kroacia, që gjithashtu u kualifikua për më tej me 5 pikë të grumbulluara. Në takimin e fundit ballkanasit u mjaftuan edhe me një barazim pa gola ndaj Belgjikës, me këta të fundit që eliminohen që në fazën e grupeve, për herë të parë që nga viti 1998-të.

Në fazën e 1/8-tave, Maroku do luajë përballë Spanjës, ndërsa Kroacia me Japoninë.