Cili do ta zëvendësojë Buffon tek PSG?!

Sport

Gianluigi Buffon nuk do të jetë më pjesë e PSG, lajm i konfirmuar nga vetë klubi francez dhe veterani italian, ndërkohë që menjëherë kanë filluar të dalin në skenë emrat që mendohet se mund ‘të marrin çelësat’ e portës pariziene. 3 janë emrat më të lakuar së fundmi, me ‘ESPN’ që këmbëngul që interesi më i madh mbetet mbi David De Gea të Manchester United. Portieri spanjoll prej kohësh ka treguar se nuk është plotësisht i kënaqur në Angli, pavarësisht se klubi i ‘djajve të kuq’ është përpjekur të plotësojë çdo kërkesë të De Geas. Kështu tek PSG do të provojnë të hyjnë në bisedime për të bërë realitet një transferim që në fakt është përfolur edhe gjatë merkatos së kaluar. Alternativa tjetër e drejtuesve të kampionëve të Francës është Keylor Navas.

Portieri i Real Madrid thuajse e ka zyrtarizuar largimin e tij nga ‘los blancos’ dhe për PSG mund të ishte një përforcim mjaft e mirë e që do të kushtonte më pak se sa De Gea. Por nuk përjashtohet as mundësia e një investimi të madh e afatgjatë për portën. Gianluigi Donnarumma i Milanit shihet si një nga lojtarët më premtues në Europë dhe PSG mund të përfitojë nga momentet jo të mira që po kalon klubi italian për ta marrë 20-vjeçarin për një shifët të kënaqshme. Gjithësesi mbetet për t’u parë se cili do të jetë vendimi final i drejtuesve të PSG, që duket se fillimisht duhet të zgjidhin pakënaqësitë që kanë shfaqur së fundmi edhe yjet e ekipit si Neymar e Kylian Mbappe.