Dembele mohon largimin: «Do luftoj për formacionin tek Barcelona»

Sport

Ousmane Dembele
Ousmane Dembele nuk do të largohet nga Barcelona. Është vetë 21-vjeçari që e ka konfirmuar diçka të tillë, duke hedhur poshtë spekulimet që e lidhnin prej kohësh me skuadra si Arsenal.
“Do të qëndroj tek Barça. Dua të luftoj për një vend në formacionin titullar dhe jam gati të luaj në Superkupën e Spanjës..”-shprehet francezi. Aventura e tij tek katalanasit gjatë sezonit të tij të parë aty nuk ka shkuar aspak ashtu siç pritej. Me Barcelonën ai numëron vetëm 23 ndeshje, nga ku ka qenë i aktivizuar në fushë vetëm për 1130 minuta. Dëmtimet kanë ndalur Dembele në disa momente te sezonit të kaluar, gjatë të cilit gjithësesi shënoi 4 gola dhe shërbeu 8 asiste.
21-vjeçari është pyetur edhe në lidhje me një transferim të mundshëm të Pogba tek blaugranat, si një nga emrat më të përfolur për momentin në merkato. “Do të më pëlqente shumë të luaja bashkë me Pogba tek Barcelona. Do të ishte diçka fantastike, por për momentin nuk kam asnjë informacion në lidhje me këtë.”
Dembele u bë pjesë e Barcelonës verën e kaluar, kur katalanasit shpenzuan më shumë se 115 milionë euro për të marrë kartonin e tij nga skuadra e Borussia Dortmund.