Dybala rrezikon botërorin

Sport

Nuk ka paqe për Paulo Dybalën. Argjentinasi u dëmtua në ndeshjen e fundit kundër Lecces në castin kur goditi 11 metërshin që i dha epërsinë Romës dhe tashmë pas ekzaminimeve është konfirmuar dëmtimi muskulor në kuadricepsin femoral të këmbës së majtë. Koha e rekuperimit do të percaktohet pas rezonancës magnetike që do të kryhet këtë të mërkurë, dhe 28 vjecari mund të qëndrojë jashtë nga 40 ditë deri në 2 muaj. Në këtë mënyrë „La Joya“ rrezikon pjesëmarrjen në Kupën e Botës në Katar.

 

Në rastin më optimist ai do të mund të jetë  gati 1 javë përpara nisjes së evenimentit botëror, në rastin më të keq do të rikthehet në Janar të 2023-it. Mungesa në Kupën e Botës do të përbënte një zhgënjim të thellë per Dybalën, teksa Roma me dëmtimin e tij ka marrë një goditje të rëndësishme sepse fantazisti ishte lojtari më prodhues i skuadrës me 7 gola e 2 asiste në 11 ndeshje të luajtura. Për fat të keq dëmtimet muskulore e kanë përndjekur Dybalën në dy vitet e fundit. Edicionin e shkuar me Juventusin përjetoi 6 dëmtime të natyrës muskulore, edhe në këtë sezon me Romën pati një stop të shkurtër, pikërisht për një shqetësim muskulor, pa diskutim një shenjë jo e mirë për karrierën e yllit argjentinas.