Flasin trajneri dhe mesfushori i Ajax!

Sport

 

Erik ten Hag (Trajneri i Ajax):Skuadra ndihet mirë. Fizikisht, jemi gati për një sfidë të tillë kaq intensive. Kemi punuar nga ana taktike për mënyrën se si do ta trajtojmë këtë ndeshje, por për t’i qëndruar përgatitjeve tona duhet të japim më të mirën tonë në fushë. Çdo ndeshje e jona në këtë pjesë të sezonit është një finale, prandaj duhet të jemi të kujdesshëm dhe t’i marrim ndeshjet njëra pas tjetrës. Mendoj se duhet të tregojmë vendosmëri dhe besim sapo të zbresim në fushë. Nuk mund të jemi naivë, pasi kështu rivalët mund të na ndëshkojnë. Gjithësesi, besoj se kemi një shans të mirë për të arritur diçka të madhe. Puna jonë është e përqëndruar aty ku ne kemi pikat tona më të forta. Ne kemi lojtarë shumë të rinj në skuadër por ata kanë fituar një eksperiencë të jashtëzakonshme gjatë këtij sezoni. Ata janë dukshëm më të pjekur në mënyrën se si e perceptojnë një ndeshje futbolli dhe kjo bën që ne të jemi edhe më të fortë se më parë. Por ka ende pika që mund t’i përmirësojmë. Për shembull na duhet të jemi më efektivë përpara portës së kundërshtarit. Ne arrijmë të krijojmë shumë raste të mira, por shumë prej tyre i shpërdorojmë. Besoj se nëse arrijmë ta korigjojmë këtë gjë, atëherë do jemi edhe më të fortë.


Donny van de Beek (Mesfushor i Ajax):Si skuadër kemi bërë një progres të madh. Të arrish deri këtu nuk është aspak rastësi. Ne do ta shijojmë ndeshjen e sotme dhe do përpiqemi të marrim më të mirën e mundshme nga ky takim. Çdo gjë ka ecur shpejt për ne. Tani luftojmë në 3 kompeticione të ndryshme dhe kjo është një nga ato gjëra që na lumturon më së shumti, pasi shumë pak mund ta imagjinonin të arrinim këtu. Por me kaq shumë angazhime që kemi, nuk kemi kohë për t’u menduar. Duhet të vazhdojmë të punojmë që të japim maksimumin në çdo ndeshje. Në takime të tilla si kjo e sotmja duhet të ruajmë përqëndrimin. Nuk duhet të jemi të vetëkënaqur për ato çfarë kemi bërë deri më tani, por do të zbresim në fushë me dëshirën e madhe për të arritur diçka të madhe, që do të mbahet mend për një kohë të gjatë.