Futbolli në kaos nga Coronavirus, tjetër mbledhje e organizuar nga UEFA

Sport

Përhapja e virusit Covid-19 thuajse në gjithë globin ka bërë që shumë aktivitete të anullohen, përfshirë këtu edhe ato sportive, ku bën pjesë edhe futbolli. Për momentin, stadiumet janë të boshatisura, ndërsa javët po kalojnë, kalendari vazhdon të ngjishet. Në këto kushte mjaft të pazakonta, UEFA, sot do të organizojë një tjetër videokonferencë, me anëtarët e 55 federatave që janë pjesë e saj. Diskutimet priten të thellohen mbi krijimin e një plani mbi të ardhmen e këtij sezoni, që kur po i drejtohej fazës përfundimtare, është dashur të ndalej pa afat. Fokus nuk do të kenë vetëm kampionatet përkatëse, por edhe kompeticionet europiane, sikurse është Champions League dhe Europa League. Kujtojmë që të dyja finalet e këtyre garave janë shtyrë për një tjetër datë, por të pacaktuar. Vëmendje do të marrin edhe kombëtaret. Më tej, pavarësisht propozimeve që priten të shtrohen, do të jetë tejet e vështirë për të marrë një vendim zyrtar në lidhje me aktivitetet futbollistike. Kjo pasi Coronavirus ende vazhdon ta mbajë botën të mbyllur pas dyerve, e për fatin e keq, për momentin, kthesa ende nuk po vjen. Sakaq, nuk përjashtohet mundësia që për vijimin e garës të përdoren edhe formula të ndryshme. Sa i përket kampionateve, për të kurorëzuar kampionin, apo edhe për të vendosur se kush mbijeton, ose rrëzohet nga kategoria, mund të aplikohet një metodë me “Play Off” dhe “Play Out”. Kjo nënkupton se skuadrat e kreut përballen mes tyre për titullin, ndërsa ato të fundit të tabelës për mbijetesë. Një tjetër formulë, është edhe luajtja e ndeshjeve çdo 3 ditë. Të presim se cilat do të jenë konkluzionet nga kjo videokonferencë e UEFA-s.