Hapet luftë në merkato mes Juventusit dhe Napolit

Sport

Në garën për Mauro Icardin ka hyrë vrullshëm edhe një tjetër skuadër italiane përveç Juventusit. Sipas të përditshmes italiane “Corriere Dello Sport”, është Napoli që ka hyrë mes bisedimeve të Interit dhe Juventusit për blerjen e sulmuesit argjentinas. Mund të thuhet se presidenti De Laurentiis e ka shfaqur interesin për bomberin e Interit që në vitin 2016, mirëpo vetëm tani gjërat mund të jenë në favor të kreut të klubit napoletan. Për më tepër që vlera e kartonit të Icardit ka rënë ndjeshëm pas një sezoni me oshilacione dhe cështje të ndezura te Interi.


Mësohet se drejtuesit nga “San Paolo” mund t’i ofrojnë Icardit 10 milionë euro në sezon, thuajse dyfishin e pagës që përfiton tek Interi. Ndërkohë që për të bindur drejtuesit e Interit, thuhet se napoletanët ofrojnë kartonët e disa futbollistëve, ndër të cilët edhe Elseid Hysajn. Gjithsesi duket ofertën për klubin zikaltër do të bëjnë vetëm në gusht. Mbetet të shihet tashmë se cili klub mes Juventusit dhe Napolit do të arrijë të fitojë këtë betejë të radhës në merkato.