Interi pranë rinovimit me një lojtar, zyrtarizimi pas finales së Champions League

Sport

Interi dhe Stefan De Vrij vetëm një hap larg rinovimit. Në verë, mbrojtësit të qendrës i skadon kontrata, por pas disa takimesh me radhë, palët kanë arritur në një përfundim të përbashkët. Mediat italiane bëjnë me dije, se De Vrij do të rinovojë edhe për dy vite të tjera, pra deri në verën e 2025-tës.

31 vjeçari është pjesë e ekipit zikaltër që prej 2018-tës, atëherë kur në “San Siro” u transferua me parametra zero. Ndonëse e ka humbur disi shkëlqimin në kohët e fundit, De Vrij ka qenë gjithmonë i gatshëm për të ndihmuar skuadrën.

Pasi marrëveshja me klubit dhe lojtarit është kompletuar me sukses, zyrtarizimi pritet të bëhet pas finales së UEFA Champions League, që Interi do të luajë në Stamboll përballë Manchester Cityt në 10 Qershor.

Po ashtu, pas finales, klubi zikaltër pritet të rinovojë kontratën edhe me një tjetër element të rëndësishëm të organikës, sikurse është mesfushori Hakan Çalhnaoglu. Ashtu sikurse me hollandezin, edhe me turkun, nuk pritet të ketë probleme për të rinovuar, pasi ky i fundit është shprehur i gatshëm për të vazhduar aventurën me 19 herë kampionët e Italisë.

Temë diskutimi në kampin interist, është gjithashtu edhe e ardhmja e Edin Dzekos, apo Romelu Lukakut. Të dy sulmuesit në fjalë, janë shprehur publikisht se do të donin të mbeteshin pjesë e Interit. Se ç’do të ndodhë me ta, është diçka që do të mësohet shumë shpejt.