Jovic, nisi valën e prezantimeve në Madrid

Sport

Vala e prezantimeve në Madrid nisi me Luka Jovic, një nga blerjet e para të Realit për sezonin e ardhshëm. Sulmuesi serb i ardhur për 60 milionë euro nga Eintracht i Frankfurtit, u prezantua fillimisht para tifozëve të zjarrtë të Realit, të cilët ishin të shumtë në shkallët e ‘Santiago Bernabeu’ për të përshëndetur yllin e tyre të ri, teksa më pas Jovic u transferua në podiumin e nderit të stadiumit ku në praninë e presidentit Florentino Perez, drejtuesve të klubit, njerëzve të tij më të afërt dhe gazetarëve të shumtë tha fjalët e para si lojtar i “Los Blancos”.


Jovic u shfaq shumë i lumtur për faktin që u do të jetë pjesë e Realit, skuadrës me të cilën ka qenë tifoz që në fëmijëri. E tashmë mund të thuhet se iu bë realitet ëndrra, të cilën e përkëdhelte që kur ishte i vogël. Talenti serb theksoi se do të përpiqet të shkruajë historinë me 13 herë kampionët e Evropës, me objektivin për të fituar sa më shumë trofe. ”Ndihem i lumtur që do të përaqësoj klubin më të madh në botë. Unë e di se sezoni i kaluar nuk ishte sezoni më i mirë i Real Madrid, por shpresojmë se vitin e ardhshëm do të jetë më mirë. Nuk dua të përcaktoj numrin e golave. Premtoj të jap maksimumin dhe të tregoj se çfarë jam i aftë të bëj. Do të më pëlqente të fitoja Champions League”, deklaroi 21-vjeçari, i cili bëhet pjesë e revolucionit të Zinedine Zidane, i kthyer për herë të dytë në ‘Santiago Bernabeu’ vetëm pak muaj më parë. Ndërkohë që presidenti Perez i uroi mirëseardhjen lojtarit duke nënvizuar se është krenar për Jovic pasi e di që sulmuesi nga tani e tutje do të mbajë veshur fanelën, me të cilën flinte kur ishte i vogël. Ndërsa paralajmëroi edhe rikthimin e fuqishëm të Realit, pas një viti dështimi.