Jude Bellingham është zyrtarisht një lojtar i Real Madrid

Sport

Jude Bellingham është zyrtarizsht një lojtar i Real Madrid. Për të siguruar shërbimet e mesfushorit, klubi spanjoll, ka paguar në arkat e Borussia Dortmund, plot 103 mln euro, plus bonuese të tjera, që janë të përfshira në marrëveshje. Thënë ndryshe, transferimi total mund të shkojë në kuotën e 120 mln eurove.

Me Realin, Bellingham ka firmosur një kontratë 6 vjeçare. Pra, deri në verën e 2029-tës, ndërsa në “Santiago Bernabeu” do të përfitojë rreth 12 mln euro në sezon, por që sigurisht, paga e tij mund të pësojë një trajektore në ngjitje, në varësi të performancëve sezonale.

Marrëveshja mes lojtarit dhe klubit spanjoll, është arritur që në muajin Prill, ndërsa Reali ka insistuar që zyrtarizimi të bëhej pikërisht në fillim të Qershorit.

Vetëm 19 vjeç, Bellingham konsiderohet ndër më të mirët e brezit të tij dhe një prej atyre që premton jashtëzakonisht shumë nga e ardhmja. Është pikërisht kjo arsyeja kryesore që Real Madrid insistoi kaq shumë për të siguruar shërbimet e britanikut. Me Luka Modriç, që ndodhet në perëndim të karrierës, 35 herë kampionët e La Ligas, bënë çmos që të sillnin në “Bernabeu” pikërisht lojtarin Bellingham, që e konsiderojnë si pasardhësin e kroatit.

Në 132 ndeshje që Bellingham luajti me Dortmundin përgjatë 3 sezoneve në “Signal Iduna Park”, shënoi 24 gola dhe shërbeu 25 asiste për shokët e skuadrës.

Mirëpo, Bellingham është vetëm përforcimi i parë i Realit këtë verë. Mediat e huaja, raportojnë se 14 herë kampionët e Europës po punojnë për të transferuar edhe sulmuesin e Tottenham, Harry Kane. Klubi anglez kërkon rreth 110 mln euro për të shitur kapitenin e skuadrës. Oferta e Realit është gjithashtu e konsiderueshme, e për këtë arsye spanjollët shpresojnë që marrëveshja të arrihet së shpejti dhe transferimi të kompletohet brenda muajit Qershor.