Juventusi shpreson që Rabiot të qëndrojë, ja kush e pengon rinovimin e lojtarit

Sport

Juventusi shpreson që Adrien Rabiot të rinovojë kontratën. Mesfushori është vetëm pak muaj larg nga skadimi i marrëveshjes me Zonjën e Vjetër, dhe nëse një gjë e tillë do të ndodhë, atëherë ai gëzon të drejtën për t’u transferuar me kosto zero në një tjetër klub, diçka që Juventusit nuk i intereson aspak.

Këtë edicion, lojtarin francez ka qenë në një formë të jashtëzakonshme, teksa nën urdhërat e trajnerit Massimiliano Allegri ka luajtur 33 ndeshje në të gjitha kompeticionet, duke shënuar 9 gola, e po ashtu ka kontribuar edhe me 4 asiste për shokët e skuadrës.

Tekniku bardhezi, Allegri, ka besim të patundur tek futbollisti, i cili këtë vlerësim po e tregon në fushën e lojës. Mirëpo, që Rabiot të rinovojë dhe të mbetet pjesë e Juventusit, çështja është pak e ndërlilkuar.

Për të hedhur të zezën mbi të bardhë, ish-lojtari i PSG, kërkon një pagë prej 10 mln eurosh në sezon. Juventusi do të përpiqet që, përfshirë edhe bonuse të ndryshme, t’i afrohet kësaj shume, mirëpo në këtë mes një rol thelbësor do të luajë edhe çështja e kualifikimit në Champions League për sezonin e ardhshëm.

Nëse kjo ndodh, atëherë për Zonjën e Vjetër është mese e përballueshme t’i ofrojë lojtarit, shumën e kërkuar prej tij. Në të kundërt, situata do të ndërlikohet në maksimum dhe 27 vjeçari mund të paketojë valixhet dhe të kërkojë një tjetër klub për të vazhduar karrierën.

Kur na ndajnë vetëm muaj nga fundi i sezonit, Juventusi ende nuk ka marrë asnjë ofertë nga klube të tjera për Rabiot. Sidoqoftë, mospjesëmarrja në Champions, do ta kthente rinovimin e francezit në një mission të pamundur.