Lakers kalojnë pa probleme Philadelphian, Brooklyn mposht në shtesë Boston Cetlics

Sport

Los Angeles Lakers siguruan fitoren e 47 në sezonin e rregullt të NBA, pasi mposhtën pa probleme 120-107 skuadrën e Philadelphia 76ers. Anthony Davis ishte ylli i mbrëmjes në parketin e ‘Staples Center’, me realizimin e 37 pikëve, teksa dha kontribut të rëndësishëm edhe me 13 duele të fituara për zotërimin e topit nën tabelë. Ndërsa LeBron James në këtë takim u ndal në kuotat 22 pikë, 14 asiste dhe 7 rikuperime të topit nën tabelë. Në fakt, paraqitja e dy lojtarëve më të rëndësishëm i dha fitoren skuadrës kaliforniane, pasi lojtari i tretë i Lakers që realizoi më shumë pikë ishte veterani Howard me 11 pikë. Ndërkohë, tek Philadelphia ishin plot 6 lojtarët që realizuan 11 ose më shumë pikë gjatë kësaj sfide, por që nuk mjaftuan për të shmangur humbjen. 76ers vuajtën mungesat e Ben Simmons dhe Joel Embiid, teksa në përballjen me Lakers, shënuesi më i mirë për ta ishte Robinson me 25 pikë.
Fitore mjaft e rëndësishme ishte edhe ajo e Brooklyn Nets ndaj Boston Celtics. Takimi i zhvilluar në ‘TD Garden’ do të përfundonte në barazim 118-118 dhe për të përcaktuar një fitues është dashur të luhej koha shtesë. Tek Nets u shfaqën më të freskët fizikisht dhe ia dolën të triumfonin me rezultatin final 129-120. LeVert ishte ai që i befasoi të gjithë me paraqitjen e tij, pasi realizoi plot 51 pikë në total. Tek Boston më të mirët ishin Jaylen Brown dhe Kemba Walker, që së bashku shënuan 43 pikë, ndërsa paraqitje të mirë bëri edhe Marcus Smart me 14 pikë, 10 asiste dhe 6 rikuperime të topit nën tabelë. Kështu, Celtics pësojnë humbjen e 19 për këtë sezon, ndërkohë që Brooklyn tashmë e gjen veten brenda zonës ‘play-off’, diçka mjaft e rëndësishme kur merret parasysh fakti se në pjesën më të madhe të kohës nuk kanë patur shërbimet e Irving apo Durant.
San Antoni Spurs mori një fitore të vuajtur 104-103 ndaj Charlotte Hornets, ndërsa spektakël pati në përballjen mes Pelicans e Timberwolves, e mbyllur në favor të këtyre të fundit me rezultatin 134-139. U rikthyen tek fitorja edhe kampionët në fuqi të Toronto Raptors, që mposhtën 123-114 skuadrën e Phoenix Suns.