Makthi i Neymar vazhdon, sulmuesi dëmtohet sërish me Brazilin

Sport

Nuk është e thënë që Neymar të vijojë të luajë rregullisht në nivele të larta. Sulmuesi brazilian ka pësuar një tjetër dëmtim, ndonëse kësaj radhe flitet për një lëndim të thjeshtë muskular. Pikërisht atëherë kur dukej se lojtari i PSG e kishte lënë pas periudhën e errët të dëmtimeve, Neymar ka pësuar sërish një dëmtim, në angazhimin e tij me kombëtaren braziliane. Në sfidën që ‘Seleçao’ barazoi 1-1 me Nigerinë, Neymar e nisi takimin si titullar.

 

Por 27-vjeçari qëndroi vetëm 12 minuta në fushën e blertë, pasi iu dorëzua problemit muskular, që e bëri të zëvendësohej me Philippe Coutinhon. Angazhimet në miqësoret e Brazilit po kthehen në një makth më vete për yllin e PSG, aq sa drejtuesit e kampionëve të Francës mendojnë të mos e lejojnë më lojtarin të largohet për ndeshje që nuk janë zyrtare. Edhe në muajin prill, kur sapo ishte rikthyer nga dëmtimi, Neymar pësoi një tjetër lëndim në miqësoren e Brazilit me Katarin. Gjërat për numrin 10 nuk shkojnë aspak mirë.

Në total, që nga fillimi i 2014-ës, Neymar ka pësuar 16 dëmtime, për shkak të të cilave ka munguar për plot 440 ditë, pa llogaritur këtu ditët që do të kërkojë rikuperimi nga ky dëmtim i fundit ndaj Nigerisë. Me pak fjalë, në 6 sezonet e fundit, Neymar ka qëndruar jashtë fushës së blertë për 1 vit e 2 muaj. Që nga momenti që është bërë pjesë e PSG, Neymar ka munguar në 40 ndeshje në të gjitha kompeticionet për ekipin kampion të Francës. Mjekët e PSG janë të shqetësuar se ky dëmtim i fundit mund të jetë më serioz se sa duket, prandaj angazhimi i lojtarit në miqësoret e ardhshme me kombëtaren mudn të jetë në pikëpyetje