Messi, gati per Superkupën

Sport

messi
Lionel Messi dëshiron të harrojë sa më shpejt zhgënjimin e finales së Kupës së Amerikës. E nuk ka shans më të mirë për ta bërë, sesa të fitojë menjëherë Superkupën e Europës, trofeun e parë që i ofron sezoni i ri. Ai e di që mënyra më e mirë për të hedhur prapa krahëve një dështim është të synojë një objektiv të ri.
Gjuetia e Barcelonës drejt 6 trofeve të këtij sezoni starton më 11 gusht, me finalen e Superkupës kontinentale, që luhet në Tbilisi të Gjeorgjisë dhe transmetohet ekskluzivisht në TRING DIGITAL. Aty do të nisë objektivin për të barazuar serinë rekord të triumfeve të mëdha të klubit katalanas, brenda një edicioni futbollistik.
Për më tepër, edhe Messi e di që në këtë mënyrë, ai vetë mund të shijojë kënaqësi të mëdha, që do të mbysnin disfatën e Kupës së Amerikës. Madje edhe “Topi i Artë” mund të varet prej kësaj. Gjithçka është në dorën e tij dhe nevojitet një sforcim tjetër që ta bëjë sërish të vetin atë trofe.
Prandaj, me qëllim për të realizuar këtë, kapja e gjendjes më të mirë është një prioritet për argjentinasin. Me këtë synim vendosi të kthehej përpara kohe nga pushimet, për të filluar fazën përgatitore përpara fillimit të sfidave të reja. Teksa po ndjek një plan të veçantë, për të qenë në “top-form” në fillimin e javës tjetër. Ky fakt është një konfirmim edhe se “Pleshti” është i etur për sukses. Gjithsesi duket vështirë që të barazojë kuotën e golave të së kalurës. Kulmin e pati në 2012-n, kur shënoi plot 90 herë, por në 2015-n nuk shkoi më shumë se 35. Sido që të jetë, për golat ka kohë. Shënjestra është në radhë të parë te Superkupa europiane.