MotoGP, Francesco Bagnaia flet për kritikat e marra gjatë vitit 2022

Sport

Ai tashmë njihet si kampioni i botës në ‘MotoGP’, por Francesco Bagnaia vijon të jetë i përulur në atë se çfarë ka arritur në elitën e garave me motora. Piloti italian ia doli të kurorëzonte në mënyrën më të mirë të mundshme sezonin e jashtëzakonshëm e zhvilluar përgjatë 2022-shit, duke rikthyer titullin kampion tek marka Ducati pas plot 15 vitesh. Mirëpo gjërat për ‘Peco’-n filluan të ecnin në rrugën e duhur kryesisht në pjesën e dytë të sezonit, teksa deri në qershor, u has me një seri kritikash ndaj tij, herë për mënyrën e pilotimit, e herë për aspektin psikologjik. Në intervistën e tij të fundit, Bagnaia foli gjatë rreth probleme që ka hasur përgjatë sezonit, pikërisht në lidhje me kritikat e sulmet ndaj tij, duke u shprehur se një pjesë e mirë e tyre kanë qenë të drejta. Kampioni i botës thotë se e kupton nëse një tifoz, që preferon të mbështesë një pilot tjetër, do të shprehte fjalë jo të mira për të, ndërsa sa i përket kritikave nga media apo emra të mëdhenj të këtij sporti, ai mendon se e kanë bërë më të fortë. Sipas italianit, ështëe pamundur që në një sport si ky të arrish të zhvillohesh në një nivel të lartë pa bërë gabime. Kritikat ndaj tij, sipas Bagnaia-s, kanë qenë të drejta dhe ai është përpjekur të mësojë nga të tilla gjëra, në mënyrë që të kuptojë se ku duhet të përmirësohet akoma më shumë. 25-vjeçari nga Torino thotë se do të përpiqet të korrigjojë disa gjëra nga vetja në sezonin e ardhshëm, duke qenë i vetdijshëm se konkurenca për titullin kampion, këtë herë do të jetë edhe më e fortë.