MotoGP, Iannone i zhgënjyer me konsumimin e gomave tek Suzuki

Sport

iannoneee
Skuderia Suzuki këtë sezon ka treguar shenja të qarta përmirësimi, sidomos me pilotin italian Andrea Iannone, i cili ka arritur podiumin 2 hërë në gjashtë gara e ka grumbulluar deri më tani 66 pikë. Në garën e fundit në Katalonjë, ai e nisi vrullshëm dhe i hapi probleme kryesuesve të garës, mirëpo performanca e Suzukit të tij filloi të binte xhiro pas xhiroje. Fajtor për këtë siç deklaron Iannone është konsumimi i gomave.

iannone
Italiani u shfaq mjaft i zhgënjyer në lidhje me këtë problem gjatë garës, pasi është diçka që sipas tij ai e diskuton gjithmonë dhe i pati paralajmëruar konstruktorët e skuadrës së Suzuki para startit të garës në Katalonjë. 28-vjeçari u shpreh se ishte në një ditë të mirë e nëse nuk do të ishte për konsumin e gomave, ai mund të kishte arritur një tjetër rezultat mbresëlënës. Nga ana tjetër, shoku i tij i skuadrës Alex Rins pati të tjera probleme. Ai u tërhoq nga gara për shkak të ritmit të ulët që kishte, i shkaktuar nga një defekt në sistemin qendror të motorit të tij.