NBA, Portland Trail Blazers nuk janë në shitje; Jody Allen konfirmon investimet edhe tek Seahawks

Sport

Ndonëse prej kohësh flitet se disa investitorë të rëndësishëm janë gati të marrin në dorë pronësinë e Portland Trail Blazers, diçka e tillë nuk ka gjasa të ndodhë. Të paktën këtë ka lënë të kuptohet numri 1 i skuadrës nga Oregoni, Jody Allen, e cila kontrollon edhe ekipin e futbollit amerikan, Seattle Seahawks, në emër të familjes së saj. Mediat amerikane lajmëronin pak kohë më parë se pronarët e një marke të njohur të veshjeje sportive, si dhe një nga pronarët e Los Angeles Dodgers, Alan Smolinsky, kishin përgatitur një ofertë serioze për të marrë nën kontroll Portland Trail Blazers, në një operacion që kalonte shifrën e 2 miliardë dollarëve.

Por të gjitha propozimet janë hedhur poshtë, me familjen Allen që do të vijojnë të investojnë tek skuadra nga Oregoni. Edhe pse gjërat në NBA për ta nuk kanë shkuar si duhet në sezonet e fundit, pritshmëritë për vitin e ardhshëm janë të mëdha tek Blazers. Me rikthimin e yllit të ekipit, Damian Lillard dhe afrimin e rëndësishëm të Jerami Grant, Blazers synojnë të rikthehet tek ‘play-offs’, ndërkohë që ka patur edhe spekulime për një përfshirje në tratativat e mundshme për të afruar Kevin Durant. Nëse diçka e tillë do të bëhej realitet, Blazers do të konsideroheshin menjëherë një skuadër pretendente për titull. Gjithësesi, transferimi i Durant mbetet i vështirë për të gjithë, me Jody Allen që konfirmoi se do të vijojnë me investime të rëndësishme, jo vetëm tek Portland Trail Blazers, por edhe tek Seattle Seahawks, me dëshirën për të bërë krenarë të gjithë komunitetin që këto dy skuadra në pronësi të familjes së saj përfaqësojnë.