Pas një periudhe prej një muaji e gjysmë, më në fund Interi është rikthyer

Sport

Pas një periudhë prej një muaji e gjysmë, më në fund, Interi është rikthyer. Fitorja 3-1 në transfertën e Spezias, ishte e 3-ta radhazi për të besuarit e Simone Inzaghit. Kjo është hera e parë në vitin 2022 që zikaltërit arrijnë 3 suksese të njëpasnjëshme.

Një tregues ky që kampionët në fuqi të Italisë e kanë gjetur formën e tyre më të mirë pikërisht në momentin e duhur. Në fakt, çelësi i suksesit erdhi në atë triumf në Torino ndaj Juventusit. Ai nuk ishte Interi më i mirë i mundshëm, por në futboll, më e rëndësishme se gjithçka tjetër, është të fitosh.

Megjithatë, Interi nuk do kishte mundur ta bënte dot një gjë të tillë nëse pjesë e formacionit nuk do ishte Marcelo Brozoviç. Heri i heshtur i mesfushës së zikaltërve është padyshim hallka kryesore e kësaj skuadre.

Një gjë e tillë u vërtetua në  takimet kur kroati mungoi për shkak dëmtimi. Pa të në fushë, të besuarit e Simone Inzaghit nuk mundën të merrnin dot asnjë fitore. Si fillim u mposhtën nga Sassuolo dhe më pas barazuan me Torinon dhe Fiorentinën. Sapo ballkanasi iu bashkua sërish grupit, ekipi ka filluar të funksionojë në mënyrën e duhur.

Teksa ndodhemi në sprintin final të sezonit, me 5 ndeshje të mbetura deri në fund të garës, Interi klasifikohet i dyti me 69 pikë, 2 më pak sesa Milani. Mirëpo, janë të besuarit e Simone Inzaghit, ata që kan në dorë fatin e titullit kampion, për shkak të ndeshjes së prapambetur me Bolognan, që do luhet në datën 27 prill.