Plot 6 gola të shënuar, Kameruni dhe Serbia prodhojnë një prej ndeshjeve më të bukura të Botërorit

Sport

Kamerun – Serbi ka rezultuar një prej ndeshjeve më spektakolare të Kupës së Botës deri në këtë fazë, pasi u shënuan plot 6 gola. Sfida e dytë e Grupit G ka përfunduar me rezultatin 3-3, por mënyra se si shkoi loja, ishte me të vërtetë fantastike.

Të parët që kaluan në avantazh ishin kamerunasit me anë të Castellettos në minutën e 29-të. Pikërisht atëherë kur u mendua se përfaqësuesja afrikane do e mbyllte në avantazh pjesën e parë, ndodhi ajo që pak kush mund ta priste.

Serbët, me anë të Pavloviç dhe Milinkoviç-Saviç, në të parën dhe në të 3-tën minutë të shtesës realizuan dy gola të shpejtë, duke e kthyer rezultatin në favor të përfaqësueses ballkanase. Në këtë mënyrë, Serbia bëhet kombëtarja e parë në historinë e Kupës së Botës që shënon dy gola shtesën e pjesës së parë.

Ky moment pozitiv I europianëve nuk do të mbyllej me pjesën e parë. Kur kishin kaluar vetëm 8 minuta nga rikthimi në fushë, Serbia realizoi edhe golin e 3-të me anë të Mitroviç, duke krijuar idenë se tashmë fitorja ishte siguruar.

Të paktë ishin ata që mund të besonin se Kameruni do rikthehej në lojë dhe ndër ta ishin vetë futbollistët e përfaqësueses afrikane. Në harkun e 3 minutave, Aboubakar dhe Choupo-Moting barazuan rezultatin në 3-3 që pa pas do të mbetej I pandryshuar deri në fërshëllimën e fundit.

Në ndeshjen e ardhshme të Grupit G, Kameruni do luajë përballë Brazilit, ndërsa Serbia do përballet me Zvicrën.