Pochettino s’i mban lotët, Moura hyn në ‘Olimp’ falë tripletës!

Sport

Emocionet kanë kapluar të gjithë lojtarët e Tottenhemit në përfundim të asaj përmbysjeje kundrejt Ajaksit, pasi ishin gjendur në 2 gola disavantazh në pjesën e parë. Por në veçanti, arritjen heroike e ka ndjerë trajneri Mauricio Pochettino, i cili ka qarë në një moment gjatë intervistës së dhënë pas ndeshjes që i dhuroi skuadrës së tij finalen për herë të parë. “E kam shumë të vështirë të flas, pasi emocioni është i madh. Dhe ky emocion nuk është i mundur pa futbollin. Faleminderit futbollit! Faleminderit lojtarëve të mi, të cilët janë të jashtëzakonshëm. Kam një vit që u them të gjithëve se kam një grup heronjsh. Të gjithë ishin të tillë por Moura ishte superhero. Është e vështirë të përshkruaj me një fjalë se çfarë ndiej. Kur punon dhe kur ndjen dashuri, nuk është stres, por pasion. Ne treguam se e duam këtë sport. Ndihem shumë krenar që jam pjesë e futbollit, që të jep mundësinë të përjetosh një mbrëmje të tillë. Nuk dua të harroj familjen time, kjo është edhe për ata”, deklaroi Pochetino, në lot e sipër.
Mbi të gjitha, Lukas Moura do të kujtohet gjatë në historinë e klubit të Totenhem. Braziliani, i cili erdhi në radhët e londinezëve pasi u skarcua nga PSG, u bë protagonisti i një viti historik, duke i siguruar skuadrës së tij finalen e Ligës së Kampioneve me tre golat ndaj Ajaksit.

Për 26-vjeçarin, kjo arritje ishte kulmi i karrierës, pasi e dërgoi midis emrave të paktë që kanë shënuar tre gola në një gjysmëfinale të Champions, siç janë Kristiano Ronaldo në 2017-n, Alesandro Del Piero në 1998-n dhe Levandovski në 2013-n, i vetmi që ashtu si Moura, i realizoi të tre brenda një pjese loje. Gjithashtu, ai u bë braziliani i parë në histori që realizon një tripletë në këtë fazë të kompeticionit. “Është e pamundur të shpjegoj atë që ndiej. Jam shumë i lumtur dhe krenar për shokët e skuadrës. Ne gjithmonë besonim se ishte e mundur, pavarësisht humbjes së parë. Patëm cilësi, edhe pa lojtarët kyç. Kjo është skuadra jonë, familja jonë. Ne dhamë gjithçka dhe e merituam. Futbolli dhuron momente të tilla që nuk mund t’i imagjinosh. E duhet t’i gëzohemi kësaj. Për mua, ky është momenti më i bukur i karrierës dhe jetës time. Kjo që po përjetoj me Totenhemin është e pabesueshme”, mbylli deklaratën e tij superheroi i së mërkurës për “Spërs”.