Presioni për fitoret po pengon Ferrarin…

Sport

felipe
Që prej largimit të Maurizio Arrivabenes nga posti i drejtorit të përgjithshëm, Ferrari mbetet në qendër të vëmëndjes. Ndryshimet e fundit që janë bërë tek skuadra e kuqe pritet të jetë si një tentativë e fundit për t’u rikthyer tek fitoret, përpara një revolucioni nga themelet që marka italiane mund të ndërmarrë në vitin 2020. Për këtë temë ka folur ish-piloti i kësaj skuderie, Felipe Massa, që sheh presionin për të triumfuar si një nga problemet kryesore të Ferrarit në ‘Formula 1’. Sipas brazilianit, skuadra italiane po ‘vuan’ për të arritur sërish në maja, dhe përpjekjet e njëpasnjëshme, të cilat janë kthyer në dështime, thjesht sa kanë rritur presionin tek Ferrari. Massa mendon se shumë presin që Vettel të bëjë gjithçka thuajse i vetëm, duke i lënë peshën kryesore të fajit për sezonet e fundit.

1695775 35913980 2560 1440

Mirëpo sipas Massës, dëshira për t’u kthyer sa më shpejt tek fitoret po e pengon Ferrarin të zhvillojë si duhet makinën e saj. Ish-piloti brazilian thotë se në shumë raste, skuadra italiane ka nxituar me vendimet e saj, pasi në përpjekje për të evoluar një aspekt të makinës, kanë bërë që të rriten diferencat me rivalët e Mercedes. Massa pranon se zgjidhjet inovative në aerodinamikë mund të jenë një faktor kyç në arritjen tek titulli, siç ishte rasti i ‘Red Bull’, por ndryshime të tilla nuk mund të ndodhin në një kohë të shkurtët në mes të sezonit. Massa beson se si Vettel, ashtu edhe Leclerc, kanë potencialin për të bërë gjëra të mëdha për Ferrarin, por gjithmonë nëse makina që do të kenë në dispozicion, do t’u ofrojë mundësinë për të rivalizuar kundërshtarët në çdo aspekt të mundshëm.