PSG, Buffon godet kampionatin italian, thotë se nuk ka diferenca me ‘Ligue 1’

Sport

Gianluigi Buffon me gjasa do të vazhdojë të jetë pjesë e PSG, të paktën edhe për 1 vit. Portieri italian ka konfirmuar se kampionët e Francës i kanë ofruar një kontratë rinovimi edhe për 1 sezon tjetër, çfarë po shqyrtohet nga ana e veteranit. Vullneti dhe dëshira e Buffon është e qartë. Ai kërkon të luajë ende dhe PSG ka padyshim prioritet, edhe prej faktit se skuadra luan në ‘Champions League’. Kjo mund të ndryshojë vetëm nëse për të mbërrin një ofertë me shumë se 1-vjeçare nga Amerika, që është kthyer në destinacionin më të pëlqyer për shumë veteranë të futbollit europian. Buffon gjeti rastin të ndalej edhe tek krahasimet mes ‘Serie A’ dhe ‘Ligue 1’, duke u shprehur se italianët kanë perceptim të gabuar rreth futbollit francez.

Sipas Buffon, tifozët nuk gjykojnë si duhet kur thonë se mes kampionatit italian dhe atij francez ka diferenca. Portieri këmbëngul se mes dy kampionateve nuk ka asnjë diferencë dhe njësoj siç ‘Serie A’ ka disa pika të forta, edhe ‘Ligue 1’ është më e përparuar në disa aspekte. Kështu, Buffon mendon se skuadra si Lille apo Lyon do të renditeshin me lehtësi mes 5 të parave nëse do të luanin në kampionatin italian. Gjatë këtij sezoni që po lëmë pas, Buffon ka mbrojtur portën e PSG në 24 ndeshje, ku në 9 raste nuk ka pësuar asnjë gol. Me 41-vjeçarin si titullar, kampionët e Francës kanë humbur vetëm 3 ndeshje, dy në ‘Ligue 1’ pasi titulli ishte siguruar dhe një në ‘Champions League’, në ndeshjen e dytë kundër Manchester United, që i kushtoi eleminimin skuadrës së PSG.