Real Madrid në kërkim të një mesfushori, tani në listë edhe emri i Fabian Ruiz

Sport

Problemet e hasura në mesfushë gjatë këtij fillim sezoni duket se kanë vënë në lëvizje drejtuesit e Real Madrid. Trajneri Zidane kërkon të ketë në radhët e tij edhe një mesfushor të klasit të lartë, ku në verë u diskutua shumë për emra si Paul Pogba dhe Christian Eriksen. Francezi vijon të jetë pjesë e Manchester United, ndërsa Eriksen shihet shumë pranë kalimit tek Juventus me parametra zero. Kështu tek Real Madrid po punojnë me kujdes për të gjetur emra të tjerë të vlefshëm për Zidane dhe njëri prej tyre është edhe spanjolli i Napolit, Fabian Ruiz.

Mesfushori ka treguar nivel të lartë loje që nga momenti që ka veshur fanellën e napoletanëve, duke tërhequr vëmendjen e shumë skuadrave të mëdha. 23-vjeçari ka treguar cilësi, personalitet, e për më tepër është nga ata që premton shumë për ardhmen. Fakti që lojtari ka pasaportë spanjolle, është një arsye më shumë për të shtyrë drejtuesit e ‘los blancos’ për të nisur tratativat me të. Por siç zbuloi edhe ‘Marca’, tratativat mes Real Madrid dhe Napolit nuk mund të jenë aspak të lehta.

Kjo për shkak të tensioneve që patën klubet gjatë verës sa i përket përpjekjeve të Napoli për të nënshkruar me James Rodriguez. Për më tepër, Fabian Ruiz nuk ka asnjë klauzolë të përcaktuar largimi, prandaj bindja e Aurelio De Laurentiis për të lënë të lirë lojtarin duket e vështirë. Fabian Ruiz u bë pjesë e Napoli në verën e vitit 2018, kur italianët shpenzuan 30 milionë euro për ta marrë nga Real Betis. Ndërsa tani, presidenti De Laurentiis nuk ka ndërmend të heqë dorë nga lojtari pa një ofertë prej të paktën 100 milionë eurosh.