Rekordet e Lillard në fitoren e Portland ndaj Golden State Warriors

Sport

Portland Trail Blazers dhe Golden State Warriors janë një nga sezonet më të vështira të viteve të fundit në NBA, por përballja mes tyre në ‘Moda Center’ dhuroi spektakël dhe emocione të forta. Vendasit e Portland ia dolën të triumfonin vetëm pas kohësh shtesë me rezultatin final 129-124. Sfida nisi mirë për Blazers, që morën avantazhin në periodën e parë. Por tek Golden State arritën të përmbysnin gjithçka në periodën pasardhëse, të cilën e fituan me rezultatin e pjesshëm 34-26. Dy periodat e fundit do të ishin të balancuara dhe fituesi do të përcaktohej vetëm pas kohës shtesë. Protagonisti i mbrëmjes ishte absolutisht lideri i Portland, Damian Lillard, që për herë të parë në këtë sezon u pa të ishte në një formë kaq të mirë. 29-vjeçari realizoi plot 61 pikë, thuajse gjysmën e pikëve totale të skuadërs së tij. Gjithashtu ai dha kontributin e tij edhe me 7 asiste dhe 10 rikuperime të topit nën tabelë. Lillard udhëhoqi skuadrën e tij në këtë fitore pas dy humbjeve radhazi, në përpjekje për t’u afruar sa më shumë me zonën që të çon në fazën ‘play-off’. Në sfidën ndaj Golden State, lideri i Portland theu disa rekorde, duke u bërë i vetmi lojtar me gjatësi më të vogël se 183 cm, që realizon 60 ose më shumë pikë në dy ndeshje të ndryshme.

Gjithashtu, Lillard u bë i pari lojtar në historinë e NBA që realizon më shumë se 60 pikë dhe më shumë se 10 goditje të sakta për 3 pikë brenda së njëjtës ndeshje. Sa i përket realizimit të 10 ose më shumë 3-pikëshave, Lillard është vetëm lojtari i pestë në historinë e basketbollit amerikan që e realizon diçka të tillë. Përpara tij, diçka të tillë e kanë bërë në disa raste emra si Steph Curry, Klay Thompson, James Harden apo J.R.Smith. Ylli i Portland i bashkohet edhe emrave si Michael Jordan, Tracy McGrady, David Robinson dhe James Harden, që brenda së njëjtës ndeshje, realizon 60 pikë, 10 rikuperime të topit dhe 5 asiste. Që nga viti 1976, vetëm këta pesë lojtarë kanë arritur të bëjnë diçka të tillë në një ndeshje të NBA.