Rikthehen sirenat angleze për portierin shqiptar

Sport

Vetëm 24 vjeç, por ka mbi shpatulla 100 ndeshje të Serie A. Fjala është për Thomas Strakoshën, të cilin faqja e internetit “Football London” e konsideron si një nga objektivat që ndiqet me interes nga Tottenham Hotspur. Skuadra lodineze kërkon të gjejë zëvendësuesin e Hugo Lloris i cili theu krahun në ndeshjen ndaj Brighton. Kështu që shqiptari mbetet një nga zgjedhjet e mundshme.


Faktikisht, Strakosha nuk është një emër i panjohur për mediat britanike pasi dhe gjatë verës u fol për një interesim të klubeve angleze. Tottenham po kalon një moment shumë të vështirë si në Premier League ashtu dhe në Champions, humbja 7-2 kundër Bayern Munich i ka vënë alarmin. Trajneri Maurico Pochetino është shprehur se ekipi i tij do ti nënshtrohet një revolucioni të madh gjatë merkatos së janarit për të ndryshuar fatet e një sezoni që po shkon drejtë dështimit total.


Midis emrave të shumtë që përmenden në kuadër të këtij revolucioni është dhe Tomas Strakosha. Dëmtimi i rëndë që pësoi Hugo Loris, i cili ka mbyllur sezonin, detyron Tottenham të përshpejtojnë ofertën për Lazion. Klubi londinez mendohet se mund të trokas në dyert e klubit italian që në merkaton e janarit për të nisur revolucionin pikërisht nga porta, Ndërkohë Strakosha shikohet si një investim i sigurt, jo vetëm për të tashmen, por mbi të gjitha për të ardhmen pasi mendohet se ende nuk ka shprehur të gjithë potencialin që zotëron.