Roma/ Rikthehet Paulo Dybala, lojtari mund të luajë ndaj Interit

Sport

Paulo Dybala mund të luajë ndaj Interit. Përpara ndeshjes me Atalantën, e vlefshme për javën e 7-të të kampionatit, lojtari pësoi një dëmtim, e si pasojë, argjentinasi nuk luajti asnjë minutë në fushën e lojës ndaj ekipit bergamask.

Vetë futbollisti u shpreh se asgjë nuk është serioze, por ngërçi ka të bëjë thjesht me një ngarkesë muskulore. Mirëpo, duket se situata ka qenë më alarmante se kaq. Ndonëse fantazisti u grumbullua edhe me përfaqësuesin e tij për ndeshjes miqësore ndaj Hondurasit dhe Xhamajkës, ai nuk luajti asnjë minutë në fushën e lojës.

Megjithatë, 28 vjeçari është rikthyer sërish në kryeqytetin italilan dhe përgjatë ditës së enjte ka kryer seanca individuale në kampin stërvitor të Romës. Sikurse raportojnë mediat përtej detit, të premten, Dybala do kryejë stërvitje të plotë me grupin dhe në rast të sinjaleve pozitive, atëherë ish-lojtari I Juventusit do jetë në listën e lojtarëve të grumbulluar për ndeshjen ndaj Interit në transfertë.

Nëse Dybala fluturon drejt Milanos, atëherë mundësitë do jenë shumë të mëdha, që Jose Mourinho t’I garantojë yllit të skuadrës minuta në fushë, ndonëse duket shumë e vështirë që të jetë titullar që nga minuta e parë.

Në 6 ndeshje të luajtura këtë sezon në Romën në Serie A, Dybala ka një kontribut me 3 gola dhe 2 asist.