Serie A, Juventus, Paratici nën akuzë; Allegri e Cherubini kritikojnë merkaton

Sport

Me largimin e shumë drejtuesve nga Juventusi, kanë filluar të dalin në pah shumë skenarë e të vërteta që kanë marrë jetë prapa dyerve të mbyllura. Për momentin, emri më i kritikuar për situatën aspak të mirë në arkat e klubit është ai i ish-drejtorit sportiv, Fabio Paratici. Pasardhësi i tij, Stefano Cherubini dhe trajneri Massimiliano Allegri nuk kanë kursyer asgjë ndaj njeriut që ka patur të gjitha përgjegjësitë mbi merkaton e bardhezinjve. Cherubini ka zbuluar se Paratici i ka kërkuar aksionerëve të klubit rreth 700 milionë euro në pak më shumë se dy vite, për të rregulluar bilancet e për të zhvilluar një merkato cilësore, siç vetë ai pretendonte në atë kohë. Paratë që erdhën nga shitja e Paul Pogba garantonin një plusvalencë pozitive në raportet e UEFA-s, por Paratici vendosi të investonte shifra të mëdha në 2 merkatot pasardhëse, siç ishte edhe mbërritja e Cristiano Ronaldo-s, çfarë hapi të tjera telashe për arkat e skuadrës. Ndërkohë që për të rregulluar situatën, u lejua shitja e disa elementëve premtues, që mund të ishin mjaft të rëndësishëm për skuadrën në planin afatgjatë. Sipas trajnerit Allegri, merkato e fundit kishte vlerë vetëm për rregullimin e bilanceve, pasi nuk u mendua aspak në përforcimin serioz të skuadrës, në bazë të kërkesave të bëra nga stafi teknik. Drejtuesit aktualë të Juventusit po shqyrtojnë me kujdes edhe çështjen e Chiellini-t, i cili jo vetëm që nuk ka patur në asnjë moment pezullim të pagës, siç mund të ketë ndodhur me ndonjë shokët e tij të ekpit, por është shpërblyer edhe me bonuse, që nuk parashikohen në kontratë. Në pritje të vendimit nga gjykata e Torinos rreth të gjithë kësaj situate, Juventusi është mësuar edhe me lajmin se UEFA po ashtu do të nisë një hetim, duke bërë që gjërat në kampin bardhezi të tronditen edhe më shumë.