Serie A, Shok tek Milani, Cardinale largon Maldini-n dhe Massara-n

Sport

Tifozët e Milanit u përlotën anembanë botës pas konfirmimit të tërheqjes së Ibrahimovic, mirëpo shumë pak mund ta kishin menduar se çfarë e priste popullin kuqezi 24 orë më pas. Paolo Maldini dhe Ricky Massara nuk do të jenë më drejtuesë të 7 herë kampionëve të Europës dhe e gjitha ka nisur pas një takimi mjaft të tensionuar në ‘Casa Milan’ me numrin 1 të ‘RedBird’, Gerry Cardinale. Maldini vazhdon të qëndrojë në linjën e deklaruar nga ana e tij edhe më herët gjatë sezonit, se për të ruajtur nivelin e lartë të paraqitjeve, e për të bërë të tjerë hapa të rëndësishëm përpara, është e nevojshme të bëhen investime, sidomos tani që buxheti i klubit është mbushur dhe bilancet regjistrohen pozitive. Në anën tjetër, Cardinale nuk është aspak dakord me këtë linjë, por vazhdon të kërkojë investimin tek lojtarët e rinj, me kosto të ulët. Sipas asaj që raportohet nga pranë klubit, debatet mes Cardinale-s dhe Maldini-t kanë qenë me tone të larta, duke krijuar edhe një dëmtim të ‘parikuperueshëm’, sipas mediave italiane, të marrëdhënieve mes pronarëve të Milanit dhe drejtuesve Maldini e Massara. Të dy do të largohet nga postet si drejtorë teknik e ekzekutiv dhe Cardinale ka gati ndryshimet që do të bëjë në staf. Numri 1 i fondit ‘RedBird’ nuk do të zëvendësojë dyshen Maldini-Massara, por do t’i japë më shumë përgjegjësi administratorit Giorgio Furlani, ndërkohë që me merkaton do të merret Geoffrey Moncada, ‘scout’-i i njohur i cili është përgjegjës për disa afrime të rëndësishme në skuadër. Ndërkohë menjëherë kanë nisur reagimet e tifozëve në lidhje me largimin e Maldini-t, që nuk duket se do kalohet lehtë. Sulmet në rrjetet sociale i drejtohet menjëherë presidencës, ose më saktë, numrit 1 të fondit ‘RedBird’, Gerry Cardinale. Ka edhe lojtarë që janë shokuar nga ky largim i dyshes Maldini-Massara, me Theo Hernandez dhe Mike Maignan që thuhet se janë ndër të parët që kanë komunikuar me Paolo Scaroni-n në lidhje me këtë çështje, ndërsa Rafael Leao, i cili vetëm pak ditë më parë zyrtarizoi rinovimin e kontratës, falë këmbënguljes së Maldini-t, ka bërë një reagim në rrjetet sociale, që ‘turbullon’ jo pak ujërat në kampin e kuqezinjve.