Tottenham fiskon çmimin për sulmuesin Harry Kane

Sport

Për të siguruar shërbimet e Harry Kane, duhen 114 mln euro. Prej vitesh me radhë, kapiteni i Tottenham është nën radarët e klubeve me peshë të kontinentit. Më të fundit që duan të kenë në skuadër sulmuesin britanik, janë Manchester United dhe Bayern Munich.

Kontrata aktuale e Kane me Spurs përfundon në verën e 2024-tës, e në të tilla rrethana, drejtuesit e klubit kanë nisur të gjenden nën presion, sepse tashmë çdo muaj që kalon, lojtarit i ulet vlera. Pikërisht për këtë arsye, Tottenham, është gati të dëgjojë ofertat për kapitenin e përfaqësueses së 3 luanëve.

Sikurse raportojnë mediat britanike, klubi londinez kërkon pikërisht 114 mln euro për 29 vjeçarin, që edhe vetë, herë pas here e ka menduar divorcin me klubin e tij të fëmijërisë, mirëpo një gjë e tillë nuk ka ndodhur, për shkak të projekteve premtuese që Tottenham ka pasur.

Gjithësesi, në ambientin e Zambakëve të Bardhë, situata momentale nuk është aspak pozitive. Trajneri Antonio Conte ka dalë publikisht kundër skuadrës, çka do të thotë se brenda grupit ka përçarje. Thënë ndryshe, për të synuar trofe, Tottenham ka nevojë për një tjetër project, me një trajner të ri. Në terma të tjerë, për Harry Kane, kjo konsiderohet si një humbje e madhe kohe, sepse nuk është hera e parë që në radhët e Spurs ndodh një gjë e tillë.

Në rrethana si këto, sulmuesi e shikon largimin si mundësinë më të mirë dhe momenti ideal duket pikërisht në verën e këtij viti, sepse kartoni i tij vlen ende më tepër sesa 100 mln euro, e në këtë mënyrë do t’i mundësonte edhe klubit të tij që të mbushte arkat.

Përgjatë këtij muaji, Harry Kane u bë edhe golashënuesi më i mirë i historisë së klubit, duke parakaluar legjendën Jimmy Greaves me 266 finalizime, ndërsa Kane, tashmë ka shkuar në kuotën e 271 golave.